Shkup, 2 shtator - Të bësh thirrje sot,  për heqjen e statusit të shtetit të pavarur të Kosovës është thirrje për luftë. Kështu tha për Radio Kosovën Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, duke i cilësuar kërkesat e Serbisë për të fituar përkrahje ndërkombëtare kundër pavarësisë, si përpjekje për konflikte të reja, ribërjen e të gjitha ish njësive federale dhe ridefinim të kufijve. Hyseni tha se në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kosova do të dal ftuese.
Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni i tha Radio Kosovës se veprimet e Serbisë kundër pavarësisë Kosovës po bëhen vetëm për ta destabilizuar Kosovën dhe gjithë Ballkanin perëndimor. Ai tha se pa asnjë hezitim është i bindur se këto veprime kanë për qëllim skenarin për ribërjen e të gjitha ish njësive federale dhe një ridefinim të gjithë kufijve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj diplomati kosovar dërgon mesazh se askush nuk mund të paramendoj ndryshime të mëdha territoriale në Ballkan e aq më tepër heqje të pavarësisë së Kosovës, pasi që automatikisht do të konsiderohej thirrje për luftë.


“Kërkesat e Serbisë janë destabilizuese për Ballkanin të cilat në fund të fundit në thelb mund të dalin edhe konflikt nxitëse, sepse të bësh thirrje sot për heqje të statusit të shtetit të pavarur të Kosovës është thirrje për luftë. Më thoni ju se kush është ai që do të pranonte t’i thoshte popullit të Kosovës e bëmë një lojë, ishe i pavarur dy vjet prej sot nuk je më i pavarur”, tha Hyseni.
Megjithatë, shefi i diplomacisë Hyseni, beson se pas dështimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Serbia do të dështojë edhe në Asamblenë e OKB-së. Ai për këtë dështim të Serbisë bazohet në siç thotë, premisa reale, pasi që nuk sheh asnjë mundësi që vendet e OKB-së të dalin kundër mendimit të një organi të kësaj organizate siç është kjo gjykatë.
“Jam bukur optimist se do të dështoi rezoluta serbe kështu siç është e paraqitur dhe me këtë tekst do të dështoi dhe unë e them këtë me bukur siguri të madhe edhe pse në anën tjetër nuk mund të garantoi se do të ketë një dështim të plotë pasi që kemi të bëjmë me një proces votues”, tha Hyseni.
Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se Kosovën do ta njohin së shpejti shumë vende.
“Para GJND-së kam thënë tekstualisht, që janë minimumi 35 vende të cilat më kanë premtuar mua personalisht se pas mendimit do ta shqyrtojnë kërkesën e Kosovës për njohje. Asnjëherë nuk kam thënë se gjatë verës do ta na njohin kaq vende, por kemi deklaruar se pas GJND-së do të ketë njohje dhe unë ju them prapë se do të ketë. Do të ketë shumë njohje”tha Hyseni.
Ministri i Jashtëm i Kosovës i cili bashkë me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi do të jenë në Nju Jork më 9 shtator, kur edhe do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, tha se kosovarët nuk janë të vetëm . Ai tha se puna po bëhet në koordinim të plotë me vendet e Kuintit dhe vendet që janë të interesuara që t’i ndihmojnë Kosovën.