Biri i një politikani demokrat gjendet nën akuzë për thyerjen e fjalëkalimit të adresës personale elektronike të kandidates për postin e zëvendëspresidentes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Sara Peilin. Në një prej sallave të gjykatës së Noksvillit, në Tenesi të SHBA-së, 20-vjeçari Deivid Kërnell kërkoi të shpallej i pafajshëm ndaj akuzës për manipulim të paautorizuar të adresës personale të emailit të kandidates Sara Peilin. Sipas akuzës së prokurorëve, djaloshi publikoi në internet disa prej mesazheve të guvernatores së Alaskës bashkë me fjalëkalimin e adresës në sitin Yahoo.



Kërnell, student ekonomie në Universitetin e shtetit Tenesi, është bir i kongresmenit Majk Kërnell. Ndërkaq, i ati ka bërë me dije se nuk ka asnjë lidhje me vjedhjen e të dhënave personale të adresës së Sara Peilin. Djaloshi përballet me akuza që mund të çojnë edhe për pesë vite pas hekurave (bashkë me një gjobë 250 mijë dollarësh) bashkë me tre vite liri nën mbikëqyrje. Tani për tani, Kërnell është lënë në gjendje të lirë, pa qenë i detyruar që për këtë të lërë ndonjë sasi parash në formë garancie, por nga ana tjetër i janë kufizuar të drejtat për përdorimin e kompjuterëve.