Luftërat, kriza, ambienti, emigracioni, por edhe një listë dëshirash të pamundura: akullore për të gjithë, një fundjavë me tri ditë dhe jo detyra shtëpie. Një OJQ me plot 826 letra të shkruara nga fëmijët amerikanë për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, që do të përmblidhen në një libër. Një monument shprese dhe dëshirash të sinqerta. Të gjithë i drejtohen Obamës, ashtu si prindërit u flasin atyre, plot çiltërsi, dashuri dhe këshilla fëmijërore.



"I dashur President Obama, duhet të vendosësh që fundjava të jetë tri ditë, të bësh që qiraja të kushtojë më pak para dhe t‘u japësh njerëzve kafshë falas". Kjo listë dëshirash është dërguar në Shtëpinë e Bardhë nga Emili Morales, një vajzë 9 vjeçe, e cila banon në San Francisko. E saja është një nga 40 mijë letrat që i shkojnë çdo ditë Presidentit të ri të SHBA-së, por që tani është pjesë e një libri që do të përmbledhë letra dhe vizatime të fëmijëve nga 6 në 14 vjeç, që marrin pjesë në shkollën e themeluar nga shkrimtari Dejv Egers, në qytete të ndryshme amerikane, nga San Francisko në Çikago, nga Siatëll në Nju Jork. Fëmijët kanë qenë një prezencë e qëndrueshme në fushatën elektorale të Obamës, ishin në ditën e betimit të tij në Uashington, në mitingje, ku shkonin gjithmonë me prindërit, apo në Indiana për festën e katër nëntorit, ditës së fitores së zgjedhjeve. "Të gjithë në lagjen time nisën t‘u binin borive të makinave, të bërtisnin dhe të dërgonin mesazhe, për faktin se Obama ishte zgjedhur President". Prindërit i merrnin me vete, pavarësisht moshës, që të mbanin mend dhe të tregonin se dikur kishin marrë pjesë në një ngjarje të shënuar për vendin, në një ngjarje historike, zgjedhjen e Barak Obamës si të parin President me ngjyrë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ose ndoshta për arsyen se nuk kanë pasur askënd me të cilët t‘i linin në shtëpi. Kandidat dhe më pas President jo si gjithë të tjerët, i ri, në gjendje të përdorë internetin, videot dhe të dëgjojë shumë muzikë, Obama flet dhe sillet në një mënyrë që për fëmijët është mjaft familjare, më e ngjashme me një reper se sa me një politikan dhe kjo shpjegon arsyen e suksesit të tij mes të rinjve dhe librat e shumtë të fëmijëve që flasin për të. Por nuk duhet harruar fakti, ashtu siç tregojnë letrat, që ka dy vajza të vogla dhe premtoi se kur të shkonin në Shtëpinë e Bardhë do t‘u blinte një qenush. Në fletët e fletoreve të shkruara me dorë nga fëmijët, sigurisht që gjenden shpresat dhe dëshirat e prindërve, siç tregojnë edhe temat për të cilat flitet më shumë: ambienti, lufta, racizmi dhe papunësia. Fatmirësisht shkruhet edhe për temat më të lidhura me fëmijërinë, si nga detyrat e shtëpisë te lodrat, kafshët e deri te sugjerimet se si duhet të sillet me fantazmën e Abraham Linkolnit në Shtëpinë e Bardhë: "Propozo një ligj që thotë se fëmijët duhet të bëjnë vetëm një faqe me detyra në javë", sugjeron Mirea 8-vjeçare. "I dashur zoti Obama, a mund të më dhurosh ca para për të blerë një Nintendo Ds?" - shkruan Xhuzepe 7-vjeçar, ndërsa Amir Abdelahi, gjashtë vjeç, i ka dhënë mësueses së tij në Çikago këtë letër, ku shkruan dëshirën e tij: "Nëse do të isha President, do të kisha njerëz që të më ndihmonin për të bërë detyrat, do ta mbushja Shtëpinë e Bardhë plot me çokollata e ragu dhe do t‘i jepja sheqerka e ushqime njerëzve për darkë". 12-vjeçari Uesli Xhakson, për të kaluar krizën e rëndë që ka mbërthyer botën dhe sidomos Amerikën, propozon që të fotokopjohen kartëmonedhat 10, 50 dhe 100 dollarëshe, por nuk duhet përjashtuar fakti që ministri i Thesarit, Geinther, të mos e marrë në konsideratë. Shumë letra janë personale dhe prekëse, sidomos ato të fëmijëve të emigrantëve: "Do të doja shumë që të më ndihmoje të vijë këtu e gjithë pjesa tjetër e familjes sime që është në El Salvador, t‘u gjesh një punë dhe t‘i bësh të ndihen qytetarë amerikanë". Xhenifer Munoz shton: "Ndihmoji emigrantët që të mos bëjnë krime, sepse nuk është faji i tyre që janë emigrantë". Kush e di nëse dikush prej tyre ka marrë ndonjë letër që mban firmën e Obamës, pasi çdo mëngjes Presidenti gjen në tavolinën e zyrës së tij një seleksionim të postës së tij, rreth 10 letra nga 40 mijë të tilla, dhe kërkon t‘u përgjigjet personalisht të paktën disave. "Të rekomandoj që të mos i zhgënjesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës", i sugjeron Aleks Morones, 10 vjeç nga Los Anxhelosi, që duket se tregon më shumë besim e mirëkuptim se sa intelektualët, komentatorët dhe liberalët. "Ke ndonjë ide të mirë? Akoma jo? Ok, s‘ka problem gjithsesi".





Le të pastrojmë botën



I dashur President Obama



Unë e di që ti dëshiron të pastrosh planetin, por njerëzit nuk duan që ta mbajnë pastër. Mos u shqetëso, të ndihmoj unë ta pastrosh botën. Është ëndrra ime ta pastrojmë botën së bashku. Do të bëj gjithçka për ty, sepse ti je Presidenti në këtë botë.





Stefani Gonzales



7 vjeç, Los Anxhelos







Të lutëm mund të mi sjellësh të afërmit?





I dashur President Obama



Do të doja që t‘i ndihmoje prindërit e mi, që të sjellin këtu gjithë pjesën tjetër të familjes, e cila jeton në El Salvador. Në do të mund të vijnë, a mund t‘i ndihmosh t‘u gjesh një punë dhe t‘i bësh qytetarë amerikanë? Të përshëndes me shumë dashamirësi.





Alanis Gordillo



10 vjeç, Los Anxhelos





Kujdes nga këpucët





I dashur Barak Obama





Unë mendoj se ndryshe nga Xhorxh Bushi duhet të evitosh vendet e dhe jo këpucët e tyre. Nuk duhet të nxitosh të bësh luftë e kompromise me terroristët. E mbështes plotësisht atë që ke thënë për tërheqjen e trupave nga Iraku. Nëse të pëlqen letra ime, duhet ta dish se është nga ana e "The King".





12 vjeç, Bruklin







Gjysmë arab si ty



I dashur Obama





Të gjithë ata që kanë besimin tim fetar kanë votuar për ty. Jam i lumtur që je Presidenti ynë, sepse e di që mund të bësh gjëra të mira për SHBA-në. Mund t‘u japësh shtëpi dhe jetë të varfërve. Doja të të thosha gjithashtu se unë jam arab dhe kam dëgjuar se edhe ti je gjysmë arab.





Bushra Habbas-Nimer



8 vjeç, AN Arbor







Çokollatë dhe ragu





I dashur zoti Obama



Nëse do të isha unë President do të shkoja të jetoja në Shtëpinë e Bardhë dhe do të kisha përreth njerëz që të më ndihmonin të bëja detyrat. Do ta mbushja Shtëpinë e Bardhë me çokollata e ragu (por jo së bashku). Dyshemeja do të ishte prej pureje, madje edhe Shtëpia do të ishte plot me pure.





Amir Abdelhadi



6 vjeç, Çikago







Bëji sytë katër





Gjëja e parë të cilën duhet të rregullosh është ekonomia. Më ka ndodhur diçka jo e këndshme: shkova në drekë te "Starbucks" dhe për një kupë me pijen time të preferuar që dikur paguaja 43 qindarka, tani më duhej të paguaja 74. Nuk e kuptoj arsyen përse duhej të paguaja kaq shumë. Duhet t‘i bësh sytë katër për këto gjëra.





Aleksis Feliciano





9 vjeç, Bruklin





Kujdes nga fantazmat





I dashur President Obama





Gjëja e parë që duhet të bësh është që të çosh gjithë gjërat e tua në Shtëpinë e Bardhë. Ki kujdes se në një nga dhomat e gjumit është edhe fantazma e Abraham Linkolnit. Pastaj bëj një shëtitje në Shtëpi, njih banorët e saj, merr edhe një qenush. Kur u zgjodhe ti, unë isha duke parë televizor.





Methju Uong



8 vjeç, Çikago





Disa këshilla





I dashur President



Dua të të jap disa këshilla



1) Shko në Shtëpinë e Bardhë me helikopter. 2) Futu brenda. 3) Pastro këmbët. 4) Shko në Zyrën Ovale. 5) Ulu në karrige. 6) Pastro duart me ndonjë dezinfektues. 7) Shijo momentin. 8) Çohu. 9) Merr makinën. 10) Shko në ndonjë dyqan ku shiten qenush.





Më duket sikur ti do ta shpëtosh Amerikën nga kjo gjendje ku është.



Shanon Yip,



13 vjeç nga Siatëlli







Faleminderit për gjithçka dhe argëtohu tani duke qeverisur vendin







Nëse unë do të isha President e di se ç‘do të bëja? Do t‘i ndihmoja të gjitha kombet, edhe Havain







Nëse është dikush që do të doja të ishte President, ai jam unë







Gjëja më e bukur e jetës në Shtëpinë e Bardhë për mua është që të vraposh si i çmendur në të gjithë atë hapësirë gjigante





Mendoj se duhet të çlodhesh dhe të hash gjëra të shëndetshme





Duhet ta vendosësh ti që fundjava të zgjasë tri ditë





Nëse do të isha President, do t‘u thosha njerëzve që të mos flasin shumë, se më duket si humbje kohe





Mund të më dhurosh para për të blerë një Nintendo Ds dhe një videolojë Ds? Zoti Obama, ti je i pasur apo jo?





I dashur President Obama? Ke ndonjë ide, apo ende jo? S‘ka gjë, gjithsesi





Libri





"I dashur Obama, a ke ndonjë ide?" - është titulli i librit që ka filluar të shitet nëpër libraritë amerikane