Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme vendosi dje të fillojë procedimin disiplinor për ndëshkimin e dy prokurorëve në Berat dhe Sarandë, të gjetur me shkelje dhe parregullsi gjatë ushtrimit të detyrës. Lajmi konfirmohet nga burime të organit qendror të akuzës, sipas të cilave në mbledhjen e djeshme Këshilli i hapi rrugë procedimeve disiplinore që pritet të vendosin masa konkrete ndaj prokurorëve “në hetim”. Prokurori i Prokurorisë së Beratit, Tasim Puci dhe ai i Sarandës, Sali Hasa, mësohet se janë bërë objekt “hetimi” nga kolegët e tyre në Prokurorinë e Përgjithshme pas ankesave dhe informacioneve të marra për abuzime dhe qëndrim jo korrekt në detyrë. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e Këshillit në shumicë, mësohet se kanë rënë dakord për masën ndëshkimore “vërejtje” ndaj prokurorit të Beratit, Tasim Puci, ndërsa masa ndëshkuese për prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, është shtyrë për t’u marrë në shqyrtim të enjten e kësaj jave. Prokurori i Sarandës mësohet se është akuzuar për probleme ligjore dhe procedurale në dosjet e hetuara prej tij. Anomalitë në afatet e hetimit dhe masat e sigurimit dhe dënimeve janë gjetur nga një kontroll-inspektim i Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkaq, prokurori i Beratit mësohet se është akuzuar se ka shkuar në gjendje të dehur në një gjyq të zhvilluar në këtë qytet, ndërsa në Tiranë në një proces të ndjekur prej tij, prokurori i Beratit nuk ka respektuar solemnitetin në paraqitjen fizike të veshjes.   
Prokurori “i dehur”
Procedimi disiplinor për prokurorin e Beratit, Tasim Puci, mësohet se ka filluar pas pretendimeve për paraqitjen e tij në gjendje të dehur në gjykatë. Ai është prokurori që mbron akuzën në procesin në ngarkim të Gëzim Kasemit, të dyshuarit si anëtar i bandës së Altin Dardhës, nuk u paraqit dje në proces, duke u bërë shkak që të shtyhej seanca gjyqësore. Ndërkohë burime nga organi i akuzës i qytetit të Beratit pohuan dje se, prokurori Puci ishte thirrur në Këshillin e Prokurorisë, ku ka filluar procedimi disiplinor ndaj tij. Burime nga ky këshill pohojnë se bashkë me prokurorin Puci ishte thirrur për të njëjtin qëllim edhe një tjetër përfaqësues i akuzës i qytetit të Sarandës. Dje u shqyrtuan kërkesat për procedimin disiplinor ndaj tyre, ndërsa u vendos që pas dy ditësh të vendoset për masën që do merret ndaj tyre. Ndërkohë Gjykata e Tiranës u detyrua të shtynte seancën gjyqësore në ngarkim të 32-vjeçarit beratas, Gëzim Kasemi, për shkak të mungesës së prokurorit Puci. Pasi u njoh me arsyen e mungesës së përfaqësuesit të akuzës, gjykata vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për mesditën e së mërkurës, ndërkohë u vendos të njoftohej prokuroria e Beratit për të dërguar sërish prokurorin në proces, apo të caktonte një tjetër prokuror për të përfaqësuar akuzën, pasi afatet e paraburgimit në ngarkim të të pandehurit përfundojnë në fund të këtij muaji.       f.m