Gazeta amerikane New York Times zbulon një të dhënë të rëndësishme për programin e Juventusit për verën e ardhshme. Në kolonat e saj shkruhet se klubi bardhezi nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e turneut të zakonshëm International Champions Cup në Amerikë, por të luajë sfidat që do të zhvillohen në Azi, pikërisht në Kinë dhe Japoni.


Një vendim ky i Zonjës së Vjetër që me shumë mundësi lidhet me problemet gjyqësore që CR7 për një përdhunim të pretenduar ndaj Kathryn Mayorga.


Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një zë mediatik, sepse Juventusi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në International Champions Cup 2019, por pa dhënë detaje se ku do ti zhvillojë ndeshjet. Më 27 mars do të publikohet kalendari zyrtar i ndeshjeve, që do ti japë fund kësaj dileme.


Lajmi i dhënë nga New York Times gjithsesi po bën xhiron e botës. Në rreshtat e këtij lajmi shkruhet se Juventusi i ka bërë kërkesë Relevent Sports, shoqërisë që ka marrë përsipër organizimin e turneut, se dëshiron të luajë vetëm në ndeshjet aziatike, pasi I frikësohet një arrestimi të mundshëm të Ronaldos nga autoritetet amerikane.