Pesë gjyqtarët e deleguar si gjyqtarë Apeli për Krimet e Rënda zbardhën vendimin për Dritan Dajtin dhe e dorëzuan pranë Apelit të Krimeve të Rënda pikërisht ditën e fundit kur edhe skadonte afati 30-ditor.


Në vendim arsyetohen motivet se përse u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, e për rrjedhim zbritja e dënimit nga burgimi përjetshëm në 25 vite heqje lirie.


Gjykata e Apelit thotë në vendimin e zbardhur prej 269 faqesh, se rrëzimi nga Shkalla e Parë e kërkesës së Dajtit për ritin e gjykimit të shkurtuar është i pambështetur në ligj dhe prova, e si e tillë ajo i rivendoset si e drejtë nga shkalla e dytë.


Si standard, Gjykata e Apelit sjell jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, e madje edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Bazuar sa më sipër, vijohet më tej, Dritan Dajti duhet ta vuajë dënimin me 25 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë.


Por, gjykata ka rrëzuar pretendimin e Dajtit se ishte qëlluar nga efektivë policie të paidentifikuar. Kjo është një kërkesë e pabazuar, shprehet gjykata, pasi i ndjeri Fatos Xhani ka thirrur Ndal policia dhe kjo vërtetohet nga dëshmitë.


Por, gjykata evidenton si problematikë përfshirjen në këtë operacion të njësiteve speciale që nuk kishin në fokus arrestimin e personave të rrezikshëm. Gjykata u bie ndesh edhe dëshmive të policëve, që kanë treguar se janë instruktuar, pasi sipas gjykatës, ndryshimi i beftë i aksionit i ka gjetur ata të papërgatitur.


Përdorimi i një armë të paidentifikuar në aksion, thuhet më tej, e bëri të pamundur faktin se kush e ka përdorur këtë armë me të cilën u plagos Dritan Dajti. Punonjësit e policisë nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë minimale, thotë gjykata, për të mbrojtur jetën e tyre. Por, kjo gjë nuk e legjitimonte Dritan Dajtin të qëllonte drejt tyre, shpjegohet më tej.