Gjekë Marinaj



Akordohet nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës



Tiranë, 24 dhjetor 14:39 NOA - Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë ka shpallur fitues të çmimit “Pjetër Arbnori”, në letërsi për vitin 2008, poetin, përkthyesin e eseistin Gjekë Marinaj.

Ai është dhe pedagog i letërsisë bashkëkohore në Universitetin e Riclandit, Dallas, SHBA.

Çmimi “Pjetër Arbnori” mban emrin e disidentit, shkrimtarit dhe humanistit të

shquar shqiptar dhe evropian dhe jepet nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës një herë

në vit. Ai vlerëson një shkrimtar për arritjet e tij në letërsi.

Çmimi është i hapur si për autorët shqiptarë ashtu edhe për shkrimtarët e huaj të

cilët kanë botuar në gjuhën shqipe.

 “Pjetër Arbnori” i jepet një shkrimtari, poeti apo dramaturgu për arritjet e

tij letërsi.

Ai është një çmim global, dhe vlerëson krijimtarinë e vazhdueshme të

një krijuesi, si dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në letërsi në nivel botëror.

Për herë të parë ky çmim në vitin 2007 iu dha poetit amerikan Frederik Turner, 

kandidat për çmimin “Nobël” në letërsi, një nga zërat më të fuqishëm të poezisë

botërore, i sjellë në shqip nga “Marinaj Publishing.”

Për vitin 2008 Qendra Ndërkombëtare e Kulturës i jep Çmimi Pjetër Arbnori”, poetit

dhe përkthyesit Gjekë Marinaj.

Rreth autorit

Lindur në Brrut të Malësisë së Madhe në vitin 1965. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare e mbaroi në fshatin e lindjes. Vitin e tretë të shkollës së mesme e kreu në Bajzë, ndërsa maturën e përfundoi në Shkollën Teknologjike të Shkodrës. Përfundoi edhe kursin e gazetarisë në Vlorë, në vitin 1986.

Gazeta "Drita", organ i Lidhjes së Shkrimtarëve, botoi në gusht të vitit 1990 një cikël poetik nga Gjekë Marinaj. Këtu fillon talenti pakompromis i poetit të ri, të ndeshet me muret e zymta të një diktature. Ndjenja e çlirët poetike përballet papritur me absurditetin e akullt të kohës. Cikli poetik i Gjekë Marinajt, dhe sidomos poezia e tij "Kuajt", goditën direkt dogmatizmin dhe donkishotizmin e një regjimi despotik, që po jepte shpirt. Marinaj u zu tepër ngushtë. Për t'i shpëtuar përndjekjeve dhe dhunës paarsye të regjimit komunist, torturave që të çonin në çmendi, ai u detyrua të largohej nga vendlindja, në rrethana tepër ekstreme. Forcat e ruajtjes së kufirit në atë kohë, thyenin kafka me çytë "kallashi", apo tërhiqnin zvarrë me tela me gjemba nga këmbët, të gjithë ata të rinj të masakruar, që përpiqeshin të largohen nga Shqipëria.

Megjithatë, në mesnatën e 12 shtatorit të vitit 1990, Marinaj kalon kufirin shqiptaro-jugosllav, pikërisht aty ku relievi i Malit të Bukoviçit mbante "vijën e vdekjes" për kalimtarët. Arsye më të forta se vdekja, e detyrojnë poetin e ri të arratiset drejt lirisë. Arti i tij duhet të mbijetojë - jo qënia! Në çantën e lamtumirës, Marinaj nuk kishte harruar të fuste edhe 5 libra me poezi... E si mund të jetonte poeti pa dashurinë e tij?...

Dy javët e para pas kalimit të kufrit, Marinaj i kaloi në Spuzhë të Malit të Zi. Që andej, për një kohë të shkurtër, u transferua në kampin e refugjatëve "Padinska Skela" të Beogradit. Muajt e fundit në Jugosllavi i kalon në hotelin "Avala" - hotel pitoresk në periferi të Beogradit. Në korrik të vitit 1991, pas leximit të poezisë "Kuajt" dhe njohjes me peripecitë e jetës së tij, ambasadori amerikan në Beograd, i dha atij pa hezitime të drejtën për të emigruar në SHBA. Kontaktet e para me Amerikën, u konkretizuan me një sërë projektesh, që shumë shpejt bënë realitet disa nga ëndërrta e hershme të Gjekë Marinajt.

Amfeset e para ia kushtoi edukimit të mëtejshëm shkollor. Kështu, në vitin 1994, ai përfundoi studimet në Institutin Mjekësor ASPT në Arlington. Katër vjet më vonë, u diplomua në Shkencat e Përgjithëshme të Kolegjit Brookhaven në Dallas. Shkollën e Lartë të Arteve dhe Humanitetit e përfundoi në vitin 2002, në Universitetin e Dallasit, në Teksas. Që nga janari i vitit 2003, ai vazhdon studimet për Master, në Degën e Letërsisë Botërore në UTD.

Dy herë, në vitin 1997 dhe 1998, Organizata Akademike e Kolegjit Brookhaven e nderoi Gjekë Marinajn me titullin "Student i vitit", për shkak të rezultateve të larta në mësime. Gjatë jetës studentore, ai mori edhe disa çmime letrare. Vlen të përmendet çmimi "Pena e artë" (nëntor '98) dhe veçanërisht, trofeu "International Poet of Merit Aëard", me të cilin Marinaj u nderua nga "International Society of Poets", me 17 nëntor 2002.

Shkrime me karakter akademiko-letrar i janë botuar në disa gazeta dhe revista letrare amerikane. Emri i tij është përfshirë në 4 antologji poetike amerikane: "A Moment in Time" (1995), "A Muse to Folloë" (1996), "Best Poems of the '90s" (1999) dhe "Echoes From the Silence" (2003). Po kështu, në vitin 2003, dy poezite e tij u përfshinë në antologjinë "Un alfabet al poeziei albaneze" në Rumani, përkthyer dhe botuar në rumanisht nga shkrimtari Ardian Kyçyku.

Në vitin 1995, Gjekë Marinaj doli me përmbledhjen e parë poetike, me titull: "Mos më ik larg". Pesë vjet më vonë, pikërisht në vitin 2000, boton edhe librin e dytë me poezi "Infinit". Libri i tretë i tij ka një natyrë tjetër. Marinaj boton "Ana tjetër e pasgyrës", një libër me intervista të zgjedhura me personalitete të rëndësishme të letërsisë, politikës dhe sportit, nga bota dhe Shqipëria. Libri doli nga shtypi në tetor 2003.

Gjekë Marinaj kryen dy punë; njëra në Baylor University Medical Center, Departamenti i Patologjisë, dhe tjetra në Richland College, ku jep mësim në letërsinë botërore. Shtëpia botuese "Marinaj Publishing" është pasioni i tij, në ndihmë të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë. Nuk duhet harruar edhe kontributi i tij i pakursyer në themelimin Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ku Marinaj drejton edhe revistën "Pena", organ i kësaj shoqate.

a.l/NOA