Gjatë kohës së eksodit të kosovarëve për në BE, në fund të vitit 2014 vendin e tij në Plluzhinë të Skenderajt e kishte lëshuar edhe Sami Tahiri, 45 vjeç, i papunë e me shumë probleme sociale.

Ai kishte ikur nga vendi me shpresën për një jetë më të mirë, sikurse gjithë shqiptarët e tjerë, duke kaluar nëpër Serbi e Hungari, gjithnjë nën përkujdesjen e trafikantëve, shumica e të cilëve ishin policë serbë, të cilët sakaq shndërroheshin në taksistë, e të cilët "siguronin" kalim të sigurt të gjithë atyre që donin ta linin Kosovën.

Në duart e këtyre lloj trafikantëve kishin rënë edhe çifti, Sami e Hanife Tahiri, me dy fëmijët, Denisin e Denisen.

Iku për shkak të varfërisë

Ndonëse trafikantët nuk i kishin dërguar deri në vendin ku ishin marrë vesh, përtej kufirit me Serbinë, dhe i kishin zbritur nga vetura afër kufirit me Hungarinë, në rajonin e Suboticës, familja Tahiri kishte qëndruar vetëm një natë në kamp në Hungari e pastaj kishte vazhduar për në Budapest, prej nga kishte kaluar pa probleme të mëdha në Gjermani. Ai ishte vendosur përreth 6 muaj në një kamp emigrantësh ilegalë në Nuiss afër Diseldorfit, për t'u dëbuar pastaj nga shtetit gjerman, pas gjashtë muajve.

Samiu thotë se ishte detyruar të ikë nga vendi i tij, për shkak të gjendjes së rëndë sociale. "Jetonim në varfëri të thellë, asnjë ndihmë nga askush nuk e merrnim. Fëmijët vuanin për gjithçka. Besa, vajza, më ishte sëmurë. Largoheshin të gjithë nga Kosova, njerëzit masovisht iknin me shpresën se në ndonjë shtet perëndimor do të mundë të mbijetojnë pa probleme të mëdha. Vendosa edhe unë të iki, hyra në borxhe të mëdha, por nuk mërzitesha fort, sepse mendoja se atje do të gjejë punë e do të mund t'i kthejë borxhet. Fukarallëku të detyron të bësh veprime gjithfare, fukarallëku të detyron edhe për të vjedhur edhe gjithçka, kështu mendoja se me punë do t'i kthej borxhet që mora, por nuk doli ashtu si mendoja", thotë Samiu, vetëm disa ditë pas kthimit nga Gjermania.

Ai tregon për peripecitë për të kaluar nga Serbia në pjesën hungareze të territorit, madje thotë se me fëmijët kishin bërë udhë të gjatë këmbë, madje 7 deri 8 orë derisa kishin kaluar kufirin hungarez. "Kam hyrë në borxhe për të shkuar në Gjermani, në kohën kur shkonim të gjithë. Me fëmijë kemi ecur 7 deri 8 orë. Në kamp në Hungari kemi ndenjur vetëm 24 orë, mandej kemi vazhduar për në Gjermani, iu kemi dhënë para atyre trafikantëve edhe ata na kanë qit atje. Kemi dhënë para trafikantëve serbë, thoshin se janë taksistë, por disa të tjerë thoshin se janë policisë serbë. Ata na kanë dërguar deri afër kufirit, na kanë thënë bini këndej. Nuk na çuan deri në vend, veç na rrejtën", ripërsërit Tahiri.

Ai thotë se pas gjashtë muajve që kishte qëndruar në kampin e Nuiss afër Diseldorfit, në kamp kishte shkuar policia dhe u kishte thënë atyre që të bëheshin gati për t'u kthyer në Kosovë. "Po iu lypin ata të tuajt, po iu lyp shteti i juaj", u kishte thënë policia atyre.

Mbetën rrugëve

E gruaja e tij, Hanifja (35), thotë se i kishte ardhur shumë rëndë që po i kthenin, tani kur nuk u kishte mbetur asgjë para dere.

"U bëmë gati shpejt, nuk kishim çka me ba gati, nuk kishin asgjë. Na hipën në aeroplan dhe drejt e në Prishtinë. Kur u kthyem, në aeroport u paraqitën në Zyrën për Riatdhesim, se na thanë që duhet aty me u lajmëru. Ata të zyrës na thanë që paraqitemi në Komunën tonë, kryesore erdhëm këtu prej nga kishim shkuar, duke qenë të vetëdijshëm se nuk kemi ku të kthehemi", thoshte Hanifja, e cila përsëriste duke ofsharë, se "kemi mbet rrugëve".

E ndërkaq, Sami Tahiri, i cili gjatë luftës kishte sjellë armatim në Kosovë edhe nga Bosnja, edhe nga Kroacia, thotë se pas kthimit kishte shkuar në Komunë për të kërkuar ndihmë.

"Kur jemi kthyer, gruaja ka shkuar në Llaushë te familja e vet me gjithë fëmijët. Unë i kam bërë dy net te ata të mitë, në Vitomiricë, se baba me dy vëllezërit kanë dalë atje. Veç dy net kam ndenjur te ta, se nuk kanë pasur vend, e mandej kah kam mujt, te miqtë, të familja e gruas, te një motër, ku kam pas të njohshëm. Tani jam duke ndenjur në shtëpinë e një personi në Vitomiricë, aty afër të mive", shprehet Tahiri. Ai pohon se kur ishte paraqitur në Komunë ia kishin dhënë 25 kilogramë miell, 4 litra vaj, 5 kilogramë sheqer edhe 5 bukë.

"Thjesht, unë nuk kam me çka të jetojë, nuk kam as ku ta bëjë natën me gruan e këta fëmijë. Ata duhet të ma bëjnë një hall", thoshte tepër i nervozuar Sami Tahiri, i porsakthyeri nga Gjermania.

Ai kujton se kur i kishin larguar nga Gjermania, gjermanët ia kishin dhënë një zarf, në të cilin kishte 30.28 euro. "Këto para thanë se na takojnë, do të thotë pak centë më shumë se 30 euro. Me ato 30 euro edhe me 5 pesë bukë që na i kanë blerë e na i kanë dhënë këta të Komunës e kemi nisur jetën", thotë Hanifja, teksa në dorë mbante njërin nga fëmijët, që nuk rehatohej nga të nxehtit e madh të këtyre ditëve./Zeri/