Në emisionin Opinion janë publikuar përgjimet e reja të dosjes Babale, ku protagonist është Fredi Alizoti.


Ai flet me Drejtorin e Policisë së Fierit, Berti Nushi, ndërsa i kërkon që të flasë me shefin e madh. Po ashtu e pyet nëse i mori ato.


Do ti thuash pak shefit të më takojë, i thotë Fredi Alizoti.


Drejtori i policisë: Shefi është jashtë, ka shumë mundësi që nesër pasdite të jetë këtu. Këto që po të them unë që është këtu, apo nuk është këtu ti verifikoje.


Fredi Alizoti: Unë dua të flas me njeri tjetër.


Drejtori i policisë: Të prokurorit nuk ke numër?


Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka publikuar këtë të martë në emision një sërë përgjimesh audio të prokurorisë, të cilat inkriminojnë drejtuesit e lartë të policisë.


Sipas ish-deputetit, drejtorët e lartë të policisë, konkretisht kreu i policisë së Fierit, ka folur me Fredi Alizotin, personi i përfshirë në dosjen Babale, ku dilte i përfshirë në trafik droge vëllai i ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.


Kujtojmë se Fredi Alizoti tha në dëshminë e tij në prokurori se ai kishte qenë personi që kishte imituar Geron Xhafajn, vëllanë e ish-ministrit, duke u shtirur sikur ky i fundit të merrej ende me trafikun ndërkombëtar të drogës.


Por sipas PD-së dhe përgjimeve të fundit të bëra publike këtë të martë, rezulton se Alizoti është blerë nga socialistët dhe pushtetarët më të lartë në polici, që të shfryjë skandalin e audio-përgjimit mes Babales e Geron Xhafajt, muaj të shkuar, ku flitej hapur për trafik droge.