ELBASAN- Sherri mes dy vëllezërve ka bërë që të dy të përfundojnë në pranga, njëri prej tyre i plagosur. Burime zyrtare bënë me dije se ngjarja ndodhi në lagjen 5 Maj në Elbasan. Mësohet se në pranga kanë rënë Fatmir Bakalli, 56 vjeç dhe Shpendi Bakalli, 49 vjeç, ky i fundit mbeti i plagosur me thikë.




NJOFITMI I POLICISE

Godet me thikë vëllain e tij, arrestohen në flagrancë dy vëllezërit

Sekuestrohet thika me të cilën ka goditur vëllain

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:


Fatmir Bakalli, 56 vjeç banues në Elbasan


Shpendi Bakalli, 49 vjeç banues në Elbasan.


Arrestimi i shtetasit Fatmir Bakalli u bë pasi në banesën e tij, në Lagjen 5 Maji për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur me thikë vëllain e tij, shtetasin Shpendi Bakalli i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën me të cilën shtetasi Fatmir Bakalli dyshohet të ketë goditur vëllain e tij shtetasin Shpendi Bakalli.


Ndaj shtetasit Fatmir Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale Dhuna në familje dhe Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta parashikuar nga nenet 130/a dhe 279 të Kodit Penal.


Arrestimi i shtetasit Shpendi Bakalli, u bë pasi dyshohet të ketë dëmtuar derën e oborrit të vëllait të tij shtetasit Fatmir Bakalli dhe dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së të vëllait shtetases M.B., 53 vjeçe duke i shkaktuar dëmtime fizike, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndaj shtetasit Shpendi Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale Dhuna në familje dhe Shkatërrim prone parashikuar nga nenet 130/a dhe 150 të Kodit Penal.