Nga Valon Konushevci v[email protected] më 18 mars 2011 në ora 11:40
Selektori i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, e ka nisur procesin e përgatitjes së ekipit për ndeshjen miqësore ndaj kampionit aktual të Turqisë, Bursaspor takim ky që do të zhvillohet më 27 mars në Prishtinë. Fillimisht Bunjaki ka nisur ti ftojë futbollistët për këtë miqësore.
Seleksionuesi kosovar tërthorazi ka bërë me dije se pjesë e reprezentacionit kosovar më 27 mars do të jenë kryesisht futbollistë, të cilët aktualisht aktivizohen nëpër liga të ndryshme evropiane.
Për mua nuk ka lojtarë kosovarë nga jashtë dhe nga Superliga. Për mua si selektor të gjithë janë futbollistë të Kosovës dhe të barabartë. Mirëpo, mua më intereson që ti ftoj lojtarët më të mirë që i kam në dispozicion. Pra, do të ftohen lojtarë cilësorë dhe që janë në formë të mirë, lojtarë që luajnë nëpër liga të forta dhe që kanë hapësirë të kënaqshme nëpër ekipet e tyre, deklaroi Bunjaki për Express.
Por, ai nuk deshi të përmend emra të futbollistëve, te të cilët llogarit për miqësoren e 27 marsit. Megjithatë, Bunjaki pohoi se për këtë miqësore do të ftohen rreth 60 për qind e lojtarëve, të cilët kanë luajtur edhe në miqësoren e fundit të përfaqësueses së Kosovës ndaj Xamaxit.
Mbi 50 apo 60 për qind e lojtarëve, të cilët janë ftuar në ndeshjet e kaluara, do të ftohen edhe në këtë miqësore. Do të ketë edhe nga Superliga, por do të ketë edhe lojtarë të rinj që nuk janë ftuar më parë. Lista përfundimtare me emrat e futbollistëve të ftuar për këtë miqësore do të publikohet më 24 mars, u shpreh ai.
Bunjaki u shpreh i brengosur për faktin se nuk po e ka të lehtë ti ftojë lojtarët kosovarë që luajnë nëpër ligat e huaja.
Unë si selektor do të kisha dëshirë që ta publikoja listën shumë më herët. Por, duhet kuptuar se nuk e kam të lehtë ti nxjerr lojtarët tanë nga ekipet e tyre të huaja. Kosova nuk është anëtare e FIFA-s e UEFA-s dhe klubet e huaja nuk e kanë për detyrë ti lirojnë kur ne i ftojmë. Thjesht nëse duan i lirojnë, nëse sduan, nuk i lirojnë, nënvizoi Bunjaki.
Ai bëri të ditur se më 24 mars do të nisë tubimi i reprezentuesve kosovarë në Prishtinë, të cilët do të përballen me kampionët turq.
Bunjaki the se e njeh Bursasporin, të cilin e ka parë duke i zhvilluar disa ndeshje. Ai tha se kampioni turk është ndër ekipet më të forta në regjion. Arma kryesore e Bursasporit është loja me kundërsulme. Nuk është rastësisht kampion i Turqisë, sepse bëhet fjalë për një skuadër ndër më të fortat në regjion, do të thosha, vazhdoi Bunjaki.
E kemi krijuar një bërthamë të vogël të përfaqësueses. Por, akoma jemi shumë larg nga ajo përfaqësuese çfarë e dua unë si selektor dhe çfarë e do tifozeria e Kosovës. Kosova e meriton një ekip të fortë dhe jam optimist se do ta bëjmë dhe jemi në rrugë të mirë, përfundoi Bunajki i cili me sukses e ka udhëheq reprezentacionin në disa ndeshje miqësore të deritanishme.
Përndryshe, ndeshja ndaj Bursasporit do të jetë e para për vitin 2011 për përfaqësuesen tonë.
Të ftuarit e mundshëm
Përzgjedhësi Albert Bunjaku ka bërë të ditur se në përfaqësuesen e Kosovës kryesisht do ti ftojë futbollistët kosovarë, të cilët aktualisht luajnë nëpër liga të ndryshme evropiane, për miqësoren e 27 marsit ndaj Bursasporit. Por, ai nuk ka dashur të publikojë emra para se ta publikojë listën zyrtare. Megjithatë, Gazeta Express i ka mësuar disa emra të futbollistëve që pritet ti mbrojnë ngjyrat e reprezentacionit kosovar në përballje me kampionët e Turqisë.
Ata janë: Etrit Berisha, Liridon Leci, Alban Dragusha (Kalmar), Valdet Rama, Kushtrim Lushtaku (Orebro), Anel Raskaj, Kujtim Bala, (Halmstad), Shpëtim Hasani (IFK Norrkoping), Ardian Gashi (Helsingborgs), Mërgim Mavraj (Greuther Furth), Alban Ramaj (FC Erzgebirge Aue), Shqipon Bektashi (Freiburg), Ymer Xhaferi, Kushtrim Mushica (Renova), Avni Pepa (Start IK), Liridon Kukaj (Vllaznia), Enis Alushi (Paderborn), Kristian Nushi (St Gallen), Behar Maliqi (Prishtina), Mentor Zhdrella (Hysi). Risi e kësaj liste pritet të jetë mbrojtësi 18 vjeçar, Lum Rexhepi, i cili luan në ekipin finlandez, FC Honka.