Policia ka zhvilluar një aksion blic, duke bërë kontrolle në banesat e gjyqtarëve që dhanë vendimin për uljen e dënimit të Dritan Dajtit. Burimet bëjnë të ditur se kontrollet në banesat e gjyqtarë janë kryer nga forcat speciale të policisë me vendim gjykate. Tre ditë më parë, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dorëzoi në KLGJ, kërkesën për fillimi i hetimit disiplinor për gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikotli dhe Petrit Aliu.


Mësohet se aksioni policor po zhvillohet në 3 qytete të ndryshme, Lezhe, Tirane dhe Sarande, ku jetojnë gjyqtarët. Pas vendimit për Dajtin, pati reagime te menjëhershme qe nga Ministria e Drejtësisë, ambasadat, Presidenti i vendit, KLGJ, opozita dhe se fundi edhe kryeministri, qe deklaroi se nuk do ti ndahet vendimit dhe do te behet gjithçka për ta zhbëre.


Si u ndanë  5 gjyqtarët, kush votoi kundër


Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014.


Seanca gjyqësore në Apel filloi në mengjes, ndërsa vendimi përfundimtar i pesëshes së gjyqtarëve është dhënë në orët e pasdites, duke mbyllur kështu një nga proceset më të gjata gjyqësore dhe të shoqëruar me bujë. Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues.


Sipas burimeve të Panorama mësohet se dy gjyqtarët e Shkodrës, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, kanë votuar pjeserisht kunder vendimin qe e shpeton Dritan Dajtin nga burgu perjete. Pjesa tjetër e trupit gjykues, pra 3 gjyqtarët e tjerë, Skënder Damiani, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla,  kanë pranuar gjykimin e shkurtuar duke bërë që Dritan Dajti ti shpëtojë dënimit me burg të përjetshëm dhe të dënohet me 25 vite.


Akuzat dhe rekursi


Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila e dënoi me 25 vite burg Dritan Dajtin, Prokuroria paralajmëron rekursin në Gjykatën e Lartë, por fillimisht duhet të zbardhet vendimi i arsyetuar.


Ndërkohë që në një reagim, organi i Akuzës shprehet se ka qenë kundër pranimit të kërkesës së të pandehurit për gjykim të shkurtuar dhe ka kërkuar të njëjtin dënim si në Shkallën e Parë. Ankimimi do dorëzohet në Gjykatën e Lartë, por në kushtet kur ky institucion ka mbetur me 3 anëtarë, duket se dosja do ti shtohet stokut prej rreth 30 mijë dosjesh që presin shqyrtimin.


Ndërkohë, me gjithë reagimet ndaj vendimit, nga ana procedurale, i pandehuri Dajti, kishte të drejtën të kërkonte formën e posaçme të gjykimit që do ti dhuronte atij uljen e dënimit me 1/ 3-ën. Por ajo që mbetet për tu diskutuar dhe do të përcaktohet nga drejtësia është edhe llogaritja e paraburgimit, duke bërë që Dajtit ti mbeten edhe rreth 10 vite burg për të shlyer.


Vendimi i formës së prerë për Dritan Dajtin u dha nga 5 gjyqtarë, të cilët ushtrojnë detyrën në Gjykatat e Apelit në rrethe, konkretisht në Vlorë dhe Shkodër, kjo pasi pas gati 10 vite proces, gjyqtarët e Tiranës ishin konsumuar duke qenë nga një herë pjesë e gjykimit të dosjes. Kujtojmë se për procesin gjyqësor në Shkallën e Parë u deshëm më shumë se 200 seanca, duke përfunduar me një dënim kapital për Dajtin, atë të burgimit të përjetshëm.


DOSJA


Do të ishte operacioni i 7 gushtit të vitit 2009, që do të merrte jetën e 4 policëve në ndjekje të Dritan Dajtit, ndërsa dënimi i këtij të fundit do të bëhej 10 vite më vonë. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se ngjarja ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël Iliria. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, ka rezultuar se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se brenda saj ishte Dritan Dajti. Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e personave që ishin në makinë. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip Touareg me tri automjetet e tyre.


Sapo janë afruar te mjeti Touareg, punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip Touareg dhe me thirrjen Ndal, Policia, i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri, ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i Policisë, Sajmir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda Touareg-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.


Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina, i identifikuar nga organi i Akuzës si Dritan Dajti, vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahaqafë. Me pistoletën që mbante në dorë, ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh.


Pas disa minutash në ndjekje të Dritan Dajtit, pranë tij është afruar polici Petrit Sulkaj, i cili ka arritur ta prangosë. Në këtë moment, personi i prangosur është vetidentifikuar si Dritan Dajti. Gjatë veprimeve të kryera është konstatuar se arma që kishte në dorë Dritan Dajti nuk kishte më fishekë. Ai rezultoi të ishte i plagosur dhe për këtë arsye është transportuar nga Policia në drejtim të Spitalit Rajonal Durrës, shkruhet në dosje. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, në çantën që ai mbante krahqafë u gjetën dhe sekuestruan disa sende dhe dokumente personale të tij si dhe një krehër pistoletë me fishekë.