Para hetuesve, 30-vjeçari Aleksandër Dushaj pranoi krimin e dyfishtë dhe tha se ishte i zemëruar për faktin që dy vëllezërit nuk i kishin dhënë vajzën për nuse.

"Isha shumë i zemëruar me ta ndaj dhe nuk u përmbajtja dot", ka thënë ai para oficerëve të policisë gjyqësore.

Aleksandër (Esat) Dushaj, autori i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Abdulla dhe Skënder Shkambi, më 2 janar në Drishtë të Shkodrës, mësohet se ka biseduar në telefon me njëri nga vëllezërit një ditë përpara se t'i vriste. Sipas policisë, autori Dushaj kishte kërkuar më parë dorën e vajzës së njërit prej vëllezërve, Skënder Shkambit, por ky i fundit, kishte refuzuar, pasi Dushaj njihej si person me precedent penal. Dhe për ta mbajtur larg Dushajt, ai kishte dërguar vajzën 20-vjeçare në Britani. Por autori i vrasjes, kishte shpresuar se vajza do të kthehej për festat e fundvitit së bashku me Skënderin, gjë që nuk ndodhi.

Një ditë para masakrës, Dushaj i kishte telefonuar Skënderit dhe i kishte kërkuar që ta sillte vajzën në Shqipëri, një telefonatë që kishte përfunduar me grindje dhe fyerje mes palëve. Pas këtij refuzimi, Dushaj ka marrë armën dhe pasi u ka zënë pritë dy vëllezërve Abdullah dhe Skënder Shkambi, i ka qëlluar me breshëri, duke i lënë të vdekur.