Për Çikagon, në rini, dinim si vendin e kundërshtive të mëdha shoqërore, simbol i botës së krimit dhe mbretëri e së keqes, e llumit, thertore dërrasash e pirg hekurishtesh. Dinim për të si qytetin e dhunshëm ku u varën katër punëtorë të akuzuar për shpërthimin e një bombe në Hajmarket Skuer, në maj të viti 1896 ku u vranë mbi 70 policë dhe qindra punëtorë, ku pati arrestime masive, rrahje dhe kanosje ndaj popullsinë civile, klube kulturore dhe shtëpi botuese me idera radikale. Dinim për Çikagon si qytetin e 1 Majit dhe të gangsterit Al Kapone. Por nën zë, dëgjonim nga më të rriturit, ulur gurëve të rrugicës edhe si qytetin e punës, të fitimit dhe pasurimit të emigrantëve, edhe për ata bashkëkombës, si qytetin ku qëndronin bashkë hidhërimi me gëzimin, parajsa me ferrin, puna e ndershme dhe zhvatja e rrëmbimi.


Kaluan vite dhe mësuam të tjera gjëra që mbetën hije të mjegulluara, mendime gri, të besueshme dhe të pabesueshme.


Për Çikagon e artit kemi ditur më së pakti. E kisha përfytyruar si një qytet të betontë rrokaqiejsh, bankash, zyrash dhe fabrikash ku tymi dhe smogu përvëlonte mushkëritë.

E gjeta ndryshe. Kurrë fotografitë, revistat dhe filmimet nuk të japin realitetin. Ato sjellin kënde të vogla, të mbyllura dhe pjesore. Është krejt ndryshe kur ti ecën rrugëve dhe i shikon njerëzit, makinat, pallatet, ndien "frymëmarrjen" e qytetit, era të përplaset mbi fytyrë dhe dielli të djeg e përvëlon kokën cullak. Çikago e lartësive ishte plot korridore dhe hapësira të gjelbëruara, parqe dhe vepra arti, buzë liqenit ndër më të mëdhenjtë në botë që i jepte vendit fllad dhe hijeshi të jashtëzakonshme.


Në Çikago, sapo qenë ngritur nga balta ngrehinat e para, ndërtimet gëluan me ritme të shpejta, hapësirat filluan të ndahen në distrikte dhe lagje që dalloheshin për ndarjet klasore, racore dhe etnike, për nga pasuria dhe skamja, pabarazia shoqërore, që në këtë vend kishte qenë më e theksuar se në çdo qytet tjetër e që për vetë amerikanët konsiderohej si qendër degjenerimi dhe aspak kulture dhe qytetërimi.


Ka qenë Ekspozita Botërore kushtuar Kolombit, përuruar në vitin 1893, me rastin e 400-vjetorit të ardhjes së Kristofor Kolombit në Amerikë, ajo që shënoi një ngjarje shumë të rëndësishme transformuese në jetën shoqërore, kulturore dhe artistike të qytetit. Ekspozita shënoi një moment të çmuar jo vetëm për Çikagon, por për të gjithë kombin amerikan, ajo shënoi një sukses të jashtëzakonshëm kulturor që i tregoi botës se edhe Amerika e re, edhe një Çikago e re mund të organizojë ngjarje të rëndësishme botërore. Miliona njerëz vizituan për gati një vit "Qytetin e Bardhë", ("White City"), të habitur nga pavijonet e ekspozitës të projektuara dhe ndërtuar në allçi sipas stilit klasik evropian. Ekspozita transformoi peizazhin e errët, të qytetit të zymtë ku digjej qymyri e "malet" me mbeturina, ajo ndikoi në psikologjinë e banorëve dhe vuri në lëvizje forcat krijuese, inxhinierë, arkitektë dhe artistë që për herë të parë takoheshin në një angazhim të tillë që u quajt si një ndër tubimet më të mëdha të artistëve qysh nga koha e Mesjetës. Çikago u bë modeli që me stilin elegant të Uajt Sitit ndikoi në shumë qytete për ndërtimet sipas bulevardeve të Parisit e Romës- klasike me godina të bukura, të këndshme e tërheqëse. Atëherë u ndërtua "Parku i Madh", "Muzeu i shkencës dhe i industrisë", "Muzeu i Historisë së Natyrës", "Instituti i Artit i Çikagos" (Muzeu i Artit), u ngritën vepra arti si "Statuja e Republikës" etj.


Panairi tjetër i vitit 1933 që u quajt "Shekulli i Progresit" (Century of Progress) e që zgjati më shumë se një vit, u vizitua nga 39 milionë banorë nga të gjitha anët e Amerikës, ka qenë evenimenti tjetër i rëndësishëm kulturor duke i dhënë Çikagos një zhvillim magjeps në ndërtimin vertikal të rrokaqiejve sipas planit të ri rregullues që projektoi mbi 2000 ndërtime. Kështu, qyteti u bë vendi i arkitekturës neoklasike dhe Rilindjes kulturore, arsimore dhe shkencore. Në qoftë se "Statuja e Republikës", e vetmja që ka mbetur si shenjë e Çikagos e vitit 1893, të kujton "Ekspozitën Botërore të Kolombit", shtatorja e tij është shenjë e vitit 1933 e "Shekullit të Progresit", që çoi më tej nivelin kulturor dhe artistik të këtij gjiganti botëror dhe artistik.


* * *


Bashkë me të afërmit e mi e filluam vizitën nëpër qytet me shëtitje nëpër "Parkun e Madh" ku ngrihej "Statuja e Republikës", punuar nga skulptori Daniel Chester French, një nga artistët më të mëdhenj të kohës, autor i shumë veprave mes të cilave shquhet edhe "Memoriali i Uashingtonit". "Statuja e Republikës" (origjinali) kishte qenë e lartë rreth 22 metra e qe vendosur në ballë të "Panairit Botëror të Kolombit" ku shërbeu si një shenjë e fuqishme simbolike e shpirtit të progresit që përshkoi gjithë ekspozitën. Për fat të keq, skulptura origjinale ishte shkatërruar nga zjarri që kishte rënë në vitin 1896-të, por sidoqoftë replika që pamë është e njëjta vepër e autorit French, por në dimensione më të vogla. Skulptori së bashku me arkitektin Henry Bacon i kishte rihyrë realizimit të kësaj skulpture në dimensione më të vogla 7,5 metra, për të qenë gati me rastin e festimit të 25-vjetorit të Panairit dhe të 100-vjetorit të hyrjes së Shtetit të Ilinoit në SHBA, në vitin 1918.


"Republika" ose "Zonja e artë" sikundër e quante populli paraqiste një grua me një veshje të gjatë që mbështjell lirshëm shtatin e lartë dhe të bukur të një femre me tipare të qarta klasike, që mbante mbi flokët e krehur një kurorë dafine - si perëndeshë, me të dy duart ngritur lart. Me dorën e djathtë ajo mbante një glob dhe shqiponjën mbi të - emblemë e panairit, ndërsa me të majtën, vertikalisht, shtrëngonte shtizën me një shenjë dekorative në majë. Shtatorja derdhur në bronz dhe patinuar në ngjyrë ari të imponohej me qëndrimin e saj sa hyjnor aq edhe njerëzor. Në vitin 1992, vepra i ishte nënshtruar një restaurimi rrënjësor, duke sjellë shkëlqyeshëm vlerat e mëdha artistike dhe simbolike të ditëve të para.


Prej këtej shkuam në pjesën jugore të "Parkut të Madh" të shohim "Statujën e Kristofor Kolombit" që është një përkujtim i Çikagos i viteve 1930 realizuar nga Carlo Brioschi për eksploratorin e madh. Ai qëndronte mbi një piedestal të lartë konceptuar në "stilin fashist", me shpatat e Liktorit në të dy anët e rrethores duke dashur kështu të personifikojë fuqinë e Perandorisë Romake, shenjë që i kushtohej fashizmit italian të Benito Musolinit. Por, qytetarët e Çikagos që kalonin para monumentit, shihnin njeriun, figurën madhështore të Kolombit modeluar ngrohtë nga dora e artistit, pa menduar dhe parë shtojcat e montuara të bazamentit, ata shihnin njeriun e madh në thjeshtësinë e tij dhe njëkohësisht kujtonin "Ekspozitën Botërore të Kolombit", në 400-vjetorin e civilizimit të botës së re.


Çikago i qëndron vërtetësisht thënies "Urbs in Horto" ("Qytet në Kopsht"). Ky vend kishte një histori të gjatë në zhvillimin e parqeve dhe kërkonte vazhdimisht të gjejë rrugë të reja për të rifreskuar pamjen e saj. Vitet e fundit, qyteti kishte bërë investime të mëdha në hapjen dhe ridimensionimin e hapësirave të gjelbra duke i kombinuar ato me artet pamore, sidomos në realizimin e punimeve në xham brenda një kompleksi ndërtuar po me xham.


Një projekt i vërtetë novator, ndërtuar nga distrikti i parqeve të Çikagos gjatë verës së vitit 2004 dhe dimrit të 2005-ës kishte qenë ndërtimi i "Kopshtit të Dafnes". Ky program i quajtur "Arti në Park" bashkoi 24 artistë, të cilët dizajnuan 24 kopshte përgjatë sistemit të bulevardeve të Çikagos. Bimët dhe skulpturat e tyre, si dhe gjithë elementët e tjerë artistikë të aranzhuar në mënyrë kreative i shikoje "të flinin" në harmoni në "Grant Park". "Douglas Park", "Lincoln Park", "Washington Park" në "Washington Square Park" etj.


Në jug të "Grant Park" afër rrugës "Roosevelt Road" dhe "Michigan Avenue", artistja e Çikagos, Dessa Kirk, kishte përdorur pjesë të një kadillaku të vjetër për të krijuar figurën mitike greke të Dafnës. Sikundër dihet, ky është miti për një vajzë të re, babai i së cilës e ktheu atë në një pemë për ta ruajtur nga rrëmbimi. Skulptorja kishte përdorur mjete bashkëkohore copërash metalike salduar dhe kombinuar plot shije dhe profesionalizëm, duke e lidhur figurën mitike me tokën përmes një "gardhi" shufrash të mbushura me gjelbërim, zhvilluar me një figuracion realist me të dy krahët lart, konceptuar në formë fletësh të mëdha metalike, bërë nga dyer apo copëza të autoveturës tashmë të transformuara në vlera të vërteta artistike. "Dafna" e skulptores Kirk më ngjante me "Niken e Samotrakes", por tashmë moderne.


Ky kopsht i stërmadh kishte gjithashtu edhe tri figura të tjera që duken sikur vallëzojnë ndërkohë që edhe ato transformohen nga gra në pemë. Zgjidhje e mrekullueshme që gjallëron dhe i jep lëvizje edhe më tepër mjedisit.


Në këtë park të stërmadh më dolën përpara dy skulpturat ekuestër të mjeshtrit të madh të skulpturës ballkanike dhe evropiane, Ivan Mestrovic, "Indianët i Çikagos" ("Spearman" dhe "Bowman"- "Shigjetari" dhe "Hedhësi i Shtizës"). Nga tetë statuja në kalë që gjendeshin në Çikago këto dy punime shquheshin për realizimin më mjeshtëror e artistik, konceptimin dinamik të figurave, siluetave të qarta dhe modelimin plastik të thjeshtuar dekorativ, ku spikatnin trupat muskulozë të figurave që qëndronin tepër impozantë mbi kuajt elegantë dhe shpërthyes. Skulpturat qëndronin ballë për ballë në Sheshin e Kongresit në hyrjen e Parkut të Madh. Ato ishin ngritur, ishin punuar në studion e artistit, derdhur në bronz në Zagreb dhe sjellë aty në vitin 1928. Me vendosjen e këtyre dy skulpturave fillon në Amerikë jeta e skulptorit të madh, mësues i shumë artistëve midis të cilëve Antun Augustinçiç, skulptorit tjetër të shquar kroat, që më 1937 në konkursin ndërkombëtar kushtuar Skënderbeut fitoi çmimin e parë për ngritjen në Tiranë të një monumenti kushtuar heroit tonë kombëtar.


Edhe "Kopshti Lurie" ("Lurie Garden") emërtuar me emrin e filantropistes Ann Lurie që kishte dhuruar 10 milionë dollarë për krijimin dhe mirëmbajtjen e tij ishte një gjë e veçantë dhe prekëse. E gjithë zona dizajnuar nga një grup ndërkombëtar artistësh me Kathryn, Gustavson, Piet Udolf dhe Robert Izrael karakterizohej nga një zgjidhje origjinale dhe tepër funksionale. Ato kishin krijuar një oaz origjinal në mes të qytetit duke kombinuar me një zhvillim të çlirët e të natyrshëm bimët nga më interesante e të veçanta me një arkitekturë unike dhe ndriçim të pazakonshëm. "Kopshti Lurie" në fakt, ishte një metaforë për vetë qytetin e Çikagos, ajo qe kthyer në një shëtitore që ndante kopshtin në dy zona. Njëra e dendur e plot njomësi, qyteti i hershëm, e tjetra një hapësirë ku mund të qarkulloje lirisht, qyteti i sotëm me pellgje uji e kaskada, variacione nga më të çuditshmet.


Duke shëtitur mes parqeve dhe shesheve ndieje kënaqësi, çliroheshe nga pështjellimet dhe ngarkesat edhe të moshës, kërkoje të dilje nga lodhja që ndieje duke parë në muzeumet e pasura dhe "arti i mbyllur i sallave" i veprave sado madhështore e tërheqëse ishin ato. Të pëlqente herë pas here të dilje jashtë. Të joshte "profilaksia" e mjediseve të ozonta të shesheve dhe parqeve me gjelbërim, lule dhe vepra arti. Aty ku papritmas rrethoheshe nga vëllime të larta rrokaqiejsh, të errëta, të mermerta, të gurta e imponuese, çliroheshe po papritmas prej veprash arti të gjetura me shije në materialet të gjithfarta, modelime plastike e performanca mjeshtërish që arrinin të transformonin mjedisin me talentin e tyre "zbulues". Kështu ndodhte edhe pasi dilje nga sallat e pasura të Institutit të Artit (Muzeut të Artit) ku futeshe në vlerat e shquara të artit amerikan, grek, egjiptian, etrusk, indian, kinez, japonez, korean dhe veçanërisht atë evropian të shek XIV e këtej për të ardhur tek impresionistët dhe postimpresionistët në artin modern bashkëkohor. Pasuria e muzeumeve e veçanërisht Muzeu i Artit i quajtur Instituti i Artit ku pashë edhe një herë Botiçelin, Vermerin e Delfit, Renuarin, Monenë e famshëm dhe pesë peizazhet me mullarë, një autoportret të Van Gogut edhe vepra të Salvador Dalisë, Pikasos, Brakut, Shagallit, Gogenit, Kandijskit, Mondrijanit, Egon Shiles dhe Klimtit, Mark Rathkosë dhe Magritit, Mirosë dhe Gaston Lackaise, më bënë përshtypje të jashtëzakonshme. Takimet në Akademitë e Arteve e veçanërisht në atë "Luma" (Loyola University of Arts) ku Sokoli dhe Sonila kishin kryer specializime përkatëse, vizitat nëpër galeritë e arteve me qindra, të hapura dhe të profiluara nga më variantet si ajo Atlas, Hilligaros, Expression, Melanee Cooper, Hildt, Mary Bell, Rosenthal, Primeter, Magic Realism, Minimalism, Modernism etj., flisnin për një jetë të gjerë artistike dhe dashuri për veprën e artit të pranishme edhe në lokale nga më të zakonshmet.


Arti në Çikago nuk përfundonte në muret e muzeumeve të artit, ai "rridhte" natyrshëm në hapësirat e projektuara magjishëm. Edhe kur dilje nga djepi i artit të Art Çikagos - "Instituti i Artit" apo "Muzeu bashkëkohor" (Museum of Contemporary), përsëri ndjenja e shijes së vërtetë artistike vazhdonte me të njëjtat intonacione bile sapo dilje nga dyert dhe shkallët monumentale të Muzeut të Artit dhe përshëndeteshe me dy //////////////////////luejtë e mëdhenj të skulptorit Edwad Kemeys që nga viti 1894, në lulishten intime të Stanley McCorneick, një parajsë qetësie në mes të qytetit të zhurmshëm, takoheshe me skulpturën e Henry Moore dhe Alexander Calder, si dhe me një jetë bimore të gjithfartë.


Aty pranë ndodhej gjithashtu "Porta e Reve" ("Cloud Gate") e skulptorit Anish Kapoors, një artist i lindur në Indi që jeton në Britani të Madhe e që për veprën e tij ai është inspiruar nga Mërkuri i lëngshëm. Ajo është një nga shumë skulptura të vendosura brenda "Milenium Park", por që pa asnjë diskutim, kjo vepër është favoriti i të gjithë njerëzve. Zbuluar katër vjet më parë në SBC Plaza brenda një kohe të shkurtër u bë një nga veprat më të suksesshme të artit në Amerikë. 10 m e lartë dhe 20 m e gjerë kjo skulpturë është një nga më të mëdhatë në botë. Kompozuar nga 168 pllaka të kromuara, secila prej tyre peshon 850 kg. Fillimisht, ajo qe planifikuar të ndërtohej diku gjetkë dhe pastaj të sillej në vendin ku po qëndron. Por u pa më e arsyeshme që pjesët të sillen dhe të vendosen direkt në vend. Pas përfundimit të montimit të gjithë pjesëve, ajo u fërkua deri në lëmim duke u kthyer në një pasqyrë të formës vezake ku ngado që të dalësh sheh pamje të qytetit të reflektuar në të. Kjo vepër qëndron në harmoni me gjithçka përreth dhe është kthyer në pushimore dhe kuriozitet për të gjithë qytetarët që vijnë dhe e shohin. Në fillim skulptura nuk qenkësh emërtuar dhe kjo u dha mundësi vendasve ta quanin "Fasulja" sipas formës që kishte. Bile vizitorët e ndryshëm që e kërkonin si "Porta e reve" shiheshin me habi. Si "Fasulja" ata e gjenin menjëherë. Për në shqiptarët kjo skulpturë na jepte edhe kënaqësi të tjera.


Me dëshirën për të bërë disa vizatime dhe etyde në vaj, harrohesha shesheve dhe shqetësoja të afërmit. Kalimtarët ishin mësuar, ishin dashamirës dhe aspak të bezdisshëm, të sjellshëm dhe inkurajues vetëm duhej të zgjidhje vende që nuk pengonin "lumin" e madh të kalimtarëve. Gjatë "Avenu Michigan" krahas ndërtesave të larta ishin ruajtur godina të ulëta karakteristike dhe pemë të gjelbëruara që lëshonin hije të këndshme.


Kishte ditë që të nxehtit ishte përvëlues dhe i padurueshëm rrugëve të qytetit, por për piktorin peizazhist dielli është i mirëpritur, ai të jep jetë edhe pse mund edhe të ta marrë. Në qendër të Çikagos të quajtur "Loop" më shqetësoi papritur alarmi i makinave zjarrfikëse. Pranë Akademisë Zjarrfikëse të Çikagos pashë që në hyrje kishte një monument që quhej "Monumenti i Zjarrit" realizuar në vitin 1961 nga Egon Weiner një emigrant vjenez, vepër që të çonte në historinë e hershme të qytetit. Sipas historisë së treguar nga vendasit, lopa e zonjës O‘Leary i paskësh rënë me shkelm një llambe me vajguri, në një natë të nxehtë dhe me shumë erë të tetorit të vitit 1871. Një zjarr që zgjati 36 orë dhe që shkatërroi deri në themel qytetin e rreth 300000 banorëve. Mbi 1800 ndërtesa u shkatërruan dhe 300 njerëz u dogjën. Flakët e stilizuara të monumentit ngrihen lart me majucë. Ato ishin tri vëllime të ndërthurura mes tyre që ngrihen si gjuhëtherëse e tepër ngacmuese. M‘u duk si një gjemb i stërmadh gatuar në plane mjaft të gjetura e domethënëse, stilizuar me shije nga skulptori që ka arritur me gjuhën e artit të flasë për potencialin e zjarrit dhe rrezikun e tij. "Këtu filloi zjarri i Çikagos i vitit 1871" ishte gdhendur në piedestalin e ulët. Me këtë zjarr përfundoi historia e hershme e Çikagos.

Por ashtu, sikundër kishte monumente dhe vepra të ndryshme të skulpturës monumentale realizuar me mjete realiste të shkollave klasike apo neoklasike të mjeshtërve botërorë të thirrur apo gjendur në këtë vend kushtuar historisë dhe ngjarjeve të qytetit, personaliteteve të shquar, politikanë, patriotë, mësues, artistë, shkencëtarë dhe gazetarë, po ashtu kishte krijime që vinin nga koncepte të tjera moderniste sikundër ishin punimet e Pikasos, Calderit, Shagallit, Mirosë, Djubufesë etj. Kështu, realizuar nga xhami-fibër, në qendrën "Thompson" është vendosur një vepër kontraversiale e Jean Dubuffe që kalimtarët e pëlqejnë apo jo, e shohin, i rrotullohen dhe ecin pranë apo brenda saj dhe kalojnë në heshtje pranë këtij vëllimi masiv që quhet "Monumenti me bishën në këmbë". Ose Alexander Calder, në "Federal Center" ka realizuar veprën me çelik të kuqërremtë titulluar "Flamingo". Ndërsa në qendër të "Daley Center Plaza" në vitin 1967 u vendos "Skulptura pa emër" e Pikasos, rreth 20 m e lartë dhe që peshon 100 ton-çeliku e që është bërë simbol i krenarisë së qytetit.


Pikaso i cili gjatë okupimit nazist qëndroi në Paris, asnjëherë nuk udhëtoi për në Çikago apo në SHBA ndonëse mori porosi dhe u intrigua për realizimin e veprës. Artisti asnjëherë nuk është shprehur rreth inspirimit të kësaj vepre. Dikush mendon se autori ka pasur përballë gruan e tij, të tjerë qenin, por e vërteta është se vepra ka mbetur pa titull dhe njerëzit e quanin thjesht "Pikasoja". Atë ditë që kalova pranë saj një kuartet harqesh luante Çajkovskin. Kjo më dha jetë.


Në Çikago desha të shoh edhe veprën tjetër të Henri Murit që ndodhej në "Institutin Fermi" vendosur aty në vitin 1967 me rastin e 25-vjetorit të asaj shpikjeje shkencore që tronditi botën.

Zgavrat misterioze që gërryenin një vëllim të madh të bronztë, me formë të rrumbullakët, si një kokë metalike, helmetë apo shpërthim në formë kërpudhe, karakterizonin skulpturën në sheshin mbi laboratorin misterioz, të nëndheshëm të Fermit. Skulptori kurrë nuk ka folur dhe përcaktuar se çdo të thotë me këtë skulpturë. Vetëm një gjë kuptohet që skulptori ka arritur të realizojë një vëllim misterioz, të rrumbullakët në pamje, por i aksidentuar, me gropa dhe labirinthe brenda saj. Pas kësaj vepre qëndron autori, shpikja, ngjarja, lavdia dhe fatkeqësia. Vepra "Energjia nukleare" e Murit zbërthen thelbin e të parit reaksion zinxhir nuklear botëror, arritje që solli epokën atomike. Shkencëtari që solli këtë shpikje siç dihet ishte Enrico Ferni, i lindur në Itali, një ndër shkencëtarët më në zë të fushës atomike në fillimet e shekullit XX. Vepra e tij kishte marrë çmimin "Nobel" në vitin 1938, katër vite përpara se ai të bënte zbulimin e madh për të cilin ai çmohej në Çikago, Amerikë dhe në të gjithë botën.


Por vepra e Henri Murit i bënte nder botës shkencore , edhe ajo dukej si një shpikje, i rrotulloheshe vëllimit të rrumbullakët të saj dhe asgjë nuk zbërtheje, gjithshka mbetej e panjohur. Por si një "kasafortë" fshihej në të diçka enigmetike, ti vetëm shtrëngoje buzët, i rrudhje ato dhe largoheshe pa fjalë. Mbase këto ka dashur të arrijë skulptori i madh.


Në Amerikë nuk mund të mos shohësh futbollin amerikan, bejsbollin, basketbollin etj., lojërat plot patos dhe energji shpërthyese, teknikë, ritëm dhe kompleks xhiblash ku cirku-atletika-boksi-mundja, të gjitha sportet bëjnë një "mishel" sportiv që e quajnë futboll amerikan. Fillova ta shoh i qetë ndeshjen e skuadrës së Çikagos me një tjetër, por në mbarim të saj përfundova duke luajtur këmbë e duar, hutuar pas zhurmës dhe tifozerisë shpërthyese. Pashë edhe Bekamin në ndeshjen "Galaxy" - "Los Angelos", ku ylli i futbollit manifestoi gjithë arsenalin e tij të mrekullueshëm.


Por "Qendra e Bashkuar e Sportit", stadiumi i basketbollit dhe hokejit ndërtuar në vitin 1994 më tërhiqte si një nga atraksionet më të mëdha ku gjendej edhe statuja e basketbollistit të madh, Michael Jordan, e cila gjendej në hyrje të ndërtesës. Mbi një bazament të zi në të cilin ishin shënuar të gjitha statistikat e rezultateve të Jordan me një hedhje fluturimthi karakteristikë e tij qëndronte figura gjigante e sportistit të rrallë botëror. Vepra e realizuar nga bashkëmoshatarët Omri dhe Julie Rotblatt - Amrany dhe përuruar gjatë një transmetimi të TV-nacional më 1 nëntor 1994 gjatë një dreke me rastin e daljes në pension të fanellës numër 2, fanellë që nuk vishet më e mbetet relikë në kujtim të sportistit të shquar.


Në një magazinë me veshje sportive, në hyrje ishin në beton gjurmët e pëllëmbëve të mëdha të mjeshtërve të basketbollit. Në krye ishin ato të M Jordan. Futa pëllëmbët e mia në to dhe bëra një fotografi. Gjurmë jete njerëzish të mëdhenj rrugëve të qytetit gjigant, edhe të artit e sportit. Për të unë bëra vizatime dhe disa piktura nga të cilat një pjesë po i botoj në shoqërim të këtij shkrimi.