Ndalesa e radhës për ekskavatorët dhe fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka qenë zona bregdetare e Golemit në Durrës.


Përgjatë bregdetit në këtë zonë ka nisur një aksion për shembjen e disa objekteve, por IKMT ka hasur në kundërshtinë e pronarëve të bizneseve.


Ata kanë bërë rezistencë, për të penguar shembjen e objekteve.  “Vetëm po kaluat mbi trupat tanë mund të shembni pronat tona”, janë shprehur pronarët e bizneseve.


Pronarët pretendojnë se kanë leje nga bashkia dhe institucionet e tjera për të ushtruar aktivitetin e tyre, ndërsa akuzojnë se nuk u është lënë afat.


Policia dhe zjarrfikësja, të pranishëm në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur që fadromat të nisin nga puna.


Ndërkohë për situatën e krijuar aty ka reaguar zyrtarisht edhe IKMT-ja, duke nënvizuar se për këto ndërtime ka dokumentacione të dyshimta.


Janë objekte të ngritura në brezin e rërës brenda fushës së mbrojtur. Ndërtues mos ndërmerrni iniciativa antiligjore. Ka dokumentacione të dyshimta te dhëna nga zyrtaret e bashkisë dhe ministrisë, do verifikohen. Këta zyrtare do të mbajnë përgjegjësi ligjore qe kane lëshuar këto dokumentacione!, sqaron IKMT.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)