korrupsionTre kryeinspektorët që janë zgjedhur nga Parlamenti për të kontrolluar pasurinë e zyrtarëve, Fatmira Laskaj, Adriatik Lalla dhe Zana Xhuka kanë gjobitur ose çuar për ndjekje penale vetëm nëpunës të nivelit të ulet duke dështuar të gjejnë shkelje apo pasuri të fshehura tek ministrat, deputetët apo drejtuesit e institucioneve të pavarura, raporton Vizion Plus.


Ekzistenca 10-vjeçare e këtij institucioni vihet në pikëpyetje, po të marrim ne konsiderate faktin se deklarimi i pasurisë se zyrtarëve është tashmë një detyrim ligjor për një shumë të caktuar dysheme. Ndërsa hetimin mund ta kryeje Prokuroria.


Afrim Krasniqi, ish-këshilltar i dy Presidentëve, thotë se kufizimet ligjore, por edhe zgjedhja politike e kryeinspektorit, krijojnë një situatë ku pasuritë e zyrtarëve jo vetëm që nuk kontrollohen, por më së shumti dosjet e tyre mbyllen.


Sipas Krasniqit, e vetmja rrugë që ILDKP të jetë një institucion i vlefshëm është ndryshimi i ligjit dhe mënyrës se si zgjidhet kryeinspektori.


Me gjithë dilemat që shoqërojnë ekzistencën dhe funksionimin e institucionit të saj, kryeinspektorja Zana Xhuka në 9 muajt e punës nuk ka çuar asnjë zyrtar për ndjekje penale dhe nuk ka gjetur asnjë dosje me shkelje ligjore.


E vetmja masë që ajo ka marrë, ka qenë gjobitja me 50 mijë lekë e 35 subjekteve që nuk kanë deklaruar pasurinë, mes tyre 4 ish-deputetë dhe një ish-zv/ministër.


Kjo është situata me ILDKP, e cila me ligj kontrollon 4670 zyrtarë.


Por edhe në raste të rralla kur ILDKP ka denoncuar pasuri të vëna në mënyrë të dyshimtë, si rasti i ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Fatos Lulo, që deklaronte dhurata prej 100 mijë eurosh, politika nuk i ka marrë parasysh dhe e ka emëruar në Gjykatën Kushtetuese, duke legjitimuar dilemën pse shqiptarët paguajnë për ILDKP.