“Çdo libër i shkruar është një dritare nga ku njeriu sheh botën dhe shoqërinë njerëzore. Në çdo vepër arti, natyra shpalos bukuritë e saj dhe i buzëqesh njeriut. 

Dijet dhe kulturat janë oksigjeni që shëndoshin dhe pastrojnë klimën, shkrimtarët, poetët, artistët janë fllade që e freskojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut”, këto janë fjalët e përshëndetjes së Ramiz Zekaj, në cilësinë e drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, gjatë ceremonisë së ndarjes së “Çmimit AIITC 2007”. Një ceremoni e realizuar në ambientet e hotel “Tirana”, pak ditë më parë, kur u vlerësuan më çmime “Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës, kulturës islame”, “Peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë”, dhe krijimtaria më e mirë nga moshat e reja, në prozë e poezi me temë “E bukura në shpirt dhe në jetë”. Juria e përbërë nga Prof.dr. Shefik Osmani, poeti Xhevahir Spahiu dhe prof. dr. Feti Mehdiu, shpallën librin më të mirë të vitit 2007 në fushën e shkencës, kulturës islame, veprën me titull “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë në shekujt XV-XIX” me autor prof. dr. Aleksandër Meksi me motivacionin “Për pasqyrim me vërtetësi shkencore të historikut të ndërtimit të objekteve të kultit islam në Shqipëri”. Çmimin e I-rë, ku përfshihen medalja, diploma dhe çeku me vlerë 1500 $, Meksit ia dorëzoi kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar H.Inxh. Selim Muça. Në fjalën e tij, autori i veprës vlerësoi trashëgiminë e kulturës islame në Shqipëri si e krijuar kjo nga aftësitë krijuese të mjeshtërve shqiptarë dhe që përbën një fushë të rëndësishme studimi. Çmime të barasvlershme për librin më të mirë juria u akordoi veprave të autorëve Kujtim Ahmataj, Osman Xhili, Namik Selmani. Në emër të tre fituesve, ceremoninë e përshëndeti Kujtim Ahmataj, ku falënderoi Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dhe vlerësoi akordimin e çmimit si nxitje e fuqishme për poetët dhe prozatorët shqiptarë. Çmimin me motivacionin “Për forcë vargu e ndjenjë të thellë besimi”, Ahmataj për vëllimin poetik me titull “Ofshamë” ia dorëzoi profesori i nderuar Myzafer Xhaxhiu. Me motivacionin “Për përçim të mesazheve të besimit në shëndoshjen e shpirtit njerëzor” u vlerësua Osman Xhili për librin me titull “Jetë që ndryshojnë”,  çmim të cilin ia dorëzoi autorit prof. dr. Bedri Bylyku. Edhe shkrimtari Namik Selmani, me të njëjtin motivacion u vlerësua për vëllimin me poezi dhe ese “Dritaret e besimit”. Për pikturën më të mirë të vitit e përbërë nga Rubens Shima, prof. Ali Oseku dhe piktori Ylli Drishti vlerësoi fitues të çmimit, Kastriot Dervishin për peizazhin me vlera të veçanta artistike dhe një trajtim virtuoz, ekspresiv në krijimin e imazhit të qytetit të Beratit. Fitues i çmimit të parë, për krijimtarinë më të mirë letrare nga moshat e reja, u shpall studenti i Medresesë së Tiranës Arjan Hoxha për lirizmin, figuracionin, mendimin dhe të bukurën që përshkruan dhe përçon. Me të njëjtin motivacion, çmimi i dytë i shkoi studentes së Medresesë së Beratit, Bujana Baballëku, të cilin ia dorëzoi z. Kreshnik Harshova përfaqësuesi i Komitetit Shtetëror të Kulteve. Me çmime inkurajuese u vlerësuan studentët Florian Shehu, Esma Kura, Ergys Peliku dhe Rovena Xhili.


Çmimet

Libri më i mirë në fushën e shkencës, kulturës, islamit “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë në shekujt XV-XIX” prof. dr. Aleksandër Meksi

Për librin më të mirë më titull “Ofshamë” u vlerësua Kujtim Ahmataj
Osman Xhili për librin më të mirë me titull  “Jetë që ndryshojnë”

Namik Selmani u vlerësua për vëllimin me poezi dhe ese  “Dritaret e besimit”
Për pikturën më të mirë të vitit u shpall fitues Kastriot Dervishi

Fitues i çmimit të parë, për krijimtarinë më të mirë letrare nga moshat e reja, u shpall studenti i Medresesë së Tiranës Arjan Hoxha

Çmimi i dytë i shkoi studentes së Medresesë së Beratit Bujana Baballëku
Me çmime inkurajuese u vlerësuan studentët Florian Shehu, Esma Kura, Ergys Peliku dhe Rovena Xhili.