Zlatan Ibrahimovic me sy e veshë nga telefoni. Gjiganti suedez pret një telefonatë të Leonardos, për të diskutuar për rikthimin e tij të mundshëm te Milani. Vetëm biseda me drejtuesit kuqezi mund ta bindë që të luajë sërish në Europë, duke u ndarë para kohe me Los Angeles Galaxy.


37-vjeçari ka ndërmend të largohet nga MLS, pas dështimit të skuadrës kaliforniane për tu kualifikuar në fazën play off të kampionatit amerikan, edhe pse e mbylli sezonin e rregullt me 22 gola të shënuar.


Gazzetta dello Sport shkruan në numrin e sotëm rreth një marrëveshjeje të mundshme mes Leonardos dhe menaxherit të suedezit, Mino Raiola. Për të ripërqafuar kuqezinjtë, Zllatan nuk u jep shumë rëndësi parave, duke u kënaqur edhe me 2 milionë euro për gjysmë sezoni.


Ngërçi lidhet vetëm me kohëzgjatjen e kontratës; sulmuesi veteran do të pranonte të transferohej në Milano edhe për 6 muaj, që do ti mjaftonin për të siguruar një sezonin pasardhës. Topi është në fushën e kuqezinjve, por më parë duhet pritur vendimi i UEFA-s për Milanin në kuadër të Fair Play-t Financiar.


20 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)