Një vit më parë kryetari i bashkisë së Durrësit dhe Shoqata Durrësi shpallën piktorin e njohur Ibrahim Kodra \"Simboli i qytetit të Durrësit\". Dhënia e titullit ka përkuar me dy vjetorin e vdekjes se tij. Titulli \"simboli i qytetit të Durrësit\", për Ibrahim Kodrën,  ka qenë propozimi i shoqatës Durrësi që është pritur ngrohtë edhe nga  bashkia e qytetit bregdetar.

Ky titull i është dhënë piktorit më famë botërore Ibrahim Kodra, pasi ai i ka dhuruar artit shqiptar një famë të paarritshme. Piktori Ibrahim Kora është një personazh i hapësirave të mëdha e të pakthyeshme, thellësisht origjinal nga paraardhësit e tij Ballkanik. Piktori i madh, Ibrahim Kodra, vdiq në moshën 88-vjeçare, në shtëpinë e tij në Milano të Italisë, në të cilën jetonte prej 30 vjetësh. Kodra lindi në Ishëm të Durrësit, në vitin 1918. Jeta e tij në Tiranë, në konviktin e shkollës \"Naim Frashëri\", ndërpritet kur ai 20 vjeç largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror, për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Por konservatorizmi i Akademisë së Romës nuk i pëlqen dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Nën drejtimin e Carra -së, Carpi-it dhe Funi-t, Ibrahim Kodra merr prirje drejt pikturës. Ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, çka i krijoi më pas mundësinë të krijonte raporte me piktorë të mëdhenj si: Pikaso, Shagall, Matis, Fontana, Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Montale dhe Sereni, nga Bertoni tek Munari, dhe Marotta. Në vitin 2003 solli para publikut, në Galerinë Kombëtare të Arteve, dimensionin real të një artisti. Kodra, për shkak të mbylljes së Shqipërisë, ishte shndërruar për artistët tanë si dhe në Kosovë, në një legjendë mbi një postkubist dhe një Uliks shqiptar në Milano që nuk njohu diktaturën, që mbijetoi me art dhe bëri një emër në vitet \'50-\'60-të. Gjithë çfarë ka lënë pas në pikturë Ibrahim Kodra, janë rreth 6 mijë vepra të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Fantazia dhe dora e tij  e bënë me famë botërore, duke u radhitur në një ndër piktorët më të mëdhenj të botës me emrin shqiptar. Personalitete të mëdhenj, studiues, piktorë dhe politikanë i kanë dhënë një vend dhe vlerësim të veçantë piktorit me origjinë shqiptare.





Email This
Klikime: 16