ibrKonstitucionalisti Genti Ibrahimi, në një intervistë për revistën Klan, thotë se vendit i duhen ndryshimet kushtetuese.


Sipas tij, Parlamenti duhet të ushtrojë kontroll më të madh mbi qeverisjen.


Pothuaj të gjithë përdoruesit, vëzhguesit dhe analistët e sistemit tonë kushtetues, bashkohen në vlerësimin se në gjithë këto vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, Kuvendi nuk ka qënë veçse një noter i veprimtarisë së qeverisë duke i mohuar kështu shoqërisë kryerjen e një funksioni jetik në demokraci (mbikqyrja parlamentare). Idetë paraprake në këtë rrafsh përfshijnë qartësimin e kompetencave hetimore të parlamentit, forcimin e procedurave të tjera parlamentare të kontrollit, ose bi-kameralizmin (parlamenti dy dhomësh). Formula e parlamentit dy dhomësh në veçanti bën të mundur që dhoma e lartë e parlamentit, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve në kohë të ndryshme dhe ndryshimit të pjesshëm të përbërjes së saj, tipikisht të kontrollohet nga forca politike kundërshtare me qeverinë. Për pasojë kontrolli mbi qeverinë bëhet më i natyrshëm.


Po ashtu, ai flet për nevojën e reformimit të institucionit të Presidentit.


Reformimi i institucionit të Presidentit nuk mund të mendohet i shkëputur nga pjesa tjetër e institucioneve kushtetuese. Çdo ndryshim apo reformë duhet konceptuar në funksion të regjimit qeverisës në tërësi të zgjedhur nga sovrani dhe të frymës së Kushtetutës të miratuar prej tij. Presidenti ka një pozitë delikate përballë të dy grupeve: Forcave politike, të cilave duhet tu imponohet në interes të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës. Ndaj amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera: Për shembull, qenia kryetar i KLD-së dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarësisht faktit që nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimin e prokurorëve, ku në fakt Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një president joqeverisës dhe një gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i KLD nga Presidenti i Republikës? Tjetër: Roli i Presidentit si komandant i Forcave të Armatosura dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, a është i përputhshëm me një president joqeverisës? Roli vendimtar në emërimin e ambasadorëve të shtetit shqiptar jashtë vendit, a përputhet me rolin e presidentit joqeverisës kur është qeveria ajo që përcakton politikat e brendshme dhe të jashtme të shtetit, sipas programit të saj?