Edhe pse nuk e ka fituar kurrë Ligën e Kampionëve, Zlatan Ibrahimovic ka me çka të mburret në këtë eveniment. Sulmuesi suedez e ka thyer rekordin absolut, duke u bërë lojtari i parë në histori të këtij kompeticioni që shënon gol me gjashtë ekipe të ndryshme, përfshirë këtu Ajaxin, Juventusin, Interin, Barcelonën, Milanin dhe së fundmi me PSG-në në fitoren 4:1 ndaj Dinamo Kievit.

Ai ka fituar gjithçka përpos Ligës së Kampionëve. Mirëpo, kjo nuk do ta pengojë Zlatan Ibrahimovicin të futet të histori të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian për ekipe.

Edhe pse nuk e ka fituar kurrë këtë eveniment, sulmuesi suedez ka me çka të mburret. Futbollisti me prejardhje suedeze është bërë lojtari i parë në histori të Championsit që ka shënuar gol me gjashtë ekipe të ndryshme.

Duke e nisur me Ajaxin, për të vazhduar më pas me Juventusin, Interin, Barcelonën, Milanin dhe së fundmi me Paris Saint Germainin, përfaqësuesi suedez ka realizuar gjithmonë gola në elitën e futbollit evropian.

Ibra shënoi nga penalltia në minutën e 19-të të martën mbrëma për ekipin e tij të ri, të cilit iu bashkua gjatë kësaj vere, në fitoren 4:1 ndaj Dinamo Kievit. 30 vjeçari po ashtu shënoi golin e parë për ekipin nga kryeqyteti francez pas mungesës prej tetë vjetësh.

Për sulmuesin shtatgjatë, ky ishte goli i gjashtë nga gjashtë ndeshje me Paris St-Germainin. Zlatan e shndërroi në gol një penallti të akorduar nga gjyqtari, pasi më parë Jérémy Ménez ishte ndalur në zonën e rreptësisë. Mbrojtësit brazilianë Thiago Silva e Alex po ashtu shënuan nga një gol së bashku me mesfushorin argjentinas Javier Pastore.

Ibrahimovic synon të hyjë në histori të klubit nga Parisi. Synim i tij në sezonin e parë është që ta fitojë kampionatin francez Ligue 1, por ëndërr e tij e kamotshme është të stoliset me titullin e kampionit të Evropës, të cilin nuk mundi ta fitonte në asnjërin ekip ku luajti.