Personi i dyshuar për shpërthimin e një bombe në Stacionin Qendror të Brukselit është identifikuar si një maroken 36-vjeçar me banim në qytetin e Molenbeek-ut, që njihet se ka strehuar një sërë agresorësh xhihadistë.


I dyshuari me inicialet O.Z. u qëllua nga ushtria belge dhe vdiq pas shpërthimit që po trajtohet nga prokurorët si një sulm terrorist.


Sipas raportimeve, ai ishte një person i njohur për policinë, por nuk ishte lidhur me terrorizmin.


Sipas Kryeministrit belg Charles Michel, ushtarët në patrullim në stacionin e metrosë kishin arritur të neutralizonin agresorin, ndërkohë që sulmi mendohet të ketë ndodhur midis sallës kryesore dhe dy platformave.


Në rindërtimin e ngjarjes, prokurorët u shprehën se i dyshuari i ishte afruar një grupi pasagjerësh dhe ishte përpjekur të shpërthente një valixhe që ai mbante. Pati vetëm një shpërthim pjesor, ndërkohë që agresori nuk mbante një rrip me bomba, që do të thotë se ai nuk ishte një kamikaz. Agresori është qëlluar nga ushtarët e pranishëm në stacion dhe për pasojë ka humbur jetën nga plagët e marra.


Pas mbledhjes së kabinetit, kryeministri belg deklaroi se në stacione, vende publike e evente madhore do të ketë masa të shtuara sigurie.


Ky nuk është sulmi i parë që trondit Brukselin. Vitin e kaluar, tre kamikazë organizuan sulme binjake në dy stacione nëntokësore duke i marrë jetën 32 personave. Jo vetëm Belgjika, por edhe Europa është tronditur nga një valë sulmesh terroriste.


/Oranews.tv/ 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter