Në prag të zgjedhjeve të 11 shtatorit

Idriz Sulejmani, shqiptari që jeton dhe vepron në Kroaci, sërish ka vendosur që të kandidojë për zgjedhjet parlamentare në Kroaci, pas siç thotë ai, padrejtësive që i janë bërë në garat e fundit për deputet në parlamentin kroat. Kandidatura e Idriz Sulejmanit ka mbështetjen e ish-presidentit kroat, Stipe Mesiç, mikut të kombit shqiptar. Ai theksoi se garon në këto zgjedhje për të avancuar të drejtat e pakicës shqiptare që jeton në Kroaci. "Një nga sfidat për të cilën duhet t`ju paralajmëroj është fakti që partitë politike do të zhvillojnë një betejë të pamëshirshme, ndoshta të padrejtë për çdo votë. Mos lejoni t`ju bindin se kjo është rruga e dejtë. Partitë si edhe deri tani nuk do të kujdesen për ne, për interesat tona dhe për zgjidhjen e problemeve tona. Këtë edhe e kanë treguar gjithë këto vite. Vota për partitë nuk është votë për shqiptarinë", tha Idriz Sulejmani, kandidat për deputet në parlamentin kroat. Kandidati shqiptar u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të bëjnë histori duke votuar përfaqësuesin e tyre në parlamentin kroat. "Të dashur bashkëkombësit e mi që jetoni dhe punoni në Kroaci. Data 11 shtator është një datë shume e rëndësishme për Kroacinë Europiane dhe për NE Shqiptarët e Kroacisë...Kemi rastin historik që shqiptarët të kenë përfaqësuesin e tyre në parlamentin Kroat. Këtë herë historia na ka vendosur para një provë të madhe ndaj ju bej lutje të gjithëve që të mobilizohemi si asnjëherë më parë..."

Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Sulejmani tregon arsyet e kandidimit tij për t'i përfaqësuar shqiptarët dhe pakicat e tjera në Kroaci. Mes tjerash, Sulejmani tregon se me çfarë problemesh përballen shqiptarët në Kroaci dhe cilat do të jenë kërkesat kryesore që duhen adresuar në parlamentin kroat. Kandidati shqiptar thekson se shqiptarët në Kroaci nuk janë të diskriminuar politikisht, brengë që i prek shqiptarët në çdo cep të Kroacisë është diskriminimi social. Ata përkundër asaj që janë ndër popujt më të vjetër që jetojnë në këtë shtet edhe më tutje përballen me probleme nga më të ndryshmet, edhe pse ishin pjesë e çdo procesi politik të shtet-formimit kroat. "Shqiptarët e mi edhe më tutje nuk janë të barabartë në sferën e punësimeve në institucionet publike edhe pse kjo gjë u mundësohet me Ligjin për Pakicat. Problem kyç është çështja e dokumentacioneve dhe pajisja e tyre me shtetësinë kroate. Ky problem ka ndikuar direkt në mossocializimin e plotë si qytetarë të Kroacisë dhe barazi sociale duke u pamundësuar inkuadrimin e tyre në institucione edhe pse tani shumë shqiptarë janë të kualifikuar dhe të arsimuar si çdo shtetas tjetër kroat", u shpreh Sulejmani duke theksuar se"të gjithë bashkëkombësve u premtoj se do të ngriti zërin në foltoren e Parlamentit Kroat duke garantuar se kërkesat e shqiptarëve dhe pakicave që do të përfaqësoj do të dërgohen në institucionet gjegjëse. Unë gjatë tërë veprimtarisë sime u kam dëshmuar shqiptarëve se misioni im parësorë është që shqiptarët të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë".