Ka përfunduar dje aventura shqiptare e Blazh Silshkoviçit si trajner i Tiranës. Edhe pse presidenti Refik Halili ka insistuar deri në minutën e fundit që ai të qëndrojë, Baka ka dhënë dorëheqjen, i bindur se kjo ishte zgjedhja e duhur.



Dorëheqja



Tekniku e ka bërë një gjë të tillë në fillim të seancës stërvitore të së mërkurës. Arsyeja janë rezultatet e munguara. Flitet për klane që nuk e donin trajnerin Slishkoviç, por tani nuk do të përzihet në të tilla gjëra. "Ju keni shkruar shumë shpesh për klane te Tirana, por unë nuk e kam ndjerë këtë gjë", ka nënvizuar tekniku boshnjako-kroat i bardhebluve. "Edhe nëse ka pasur, ata nuk kanë qenë kundër meje, por kundër klubit, presidentit dhe fanellës së Tiranës. Largohem duke falënderuar futbollistët, presidentin dhe tifozët. Halili nuk dëshironte që unë të jepja dorëheqjen, por ka disa ditë që e mendoj këtë gjë dhe më në fund vendosa se është më mirë që të largohem".



Krenaria



Baka, siç e thërrisnin shkurt teknikun boshnjak, largohet nga Tirana me një peng, por edhe me një ndeshje për t‘u ndjerë krenar. "Erdha këtu për të fituar titullin kampion, por më vjen keq që nuk ia arrita dot", nënvizon trajneri, i cili u kërkon falje gazetarëve për tipin e tij jo shumë të komunikueshëm me shtypin. Ndërkohë që merr me vete edhe një gjë të bukur nga kjo aventurë, fitoren 2-1 të Tiranës kundër Milanit të madh në "Qemal Stafa": "Kam qenë shumë i lumtur në atë moment dhe vazhdoj të jem krenar për atë fitore, sepse nuk ishte vetëm e imja, pra një fitore personale, por e gjithë futbollit shqiptar ndaj një skuadre që ndodhet në majat e futbollit botëror".



Urimi



E mbyll në fund me një urim. "Po lë një ekip të përgatitur mirë dhe i uroj suksese trajnerit që do të vijë pas meje. Dashtë Zoti në fund të kampionatit do të jem këtu për të festuar me futbollistët fitoren e titullit kampion". Blazh Sliskoviç ikën nga Tirana me kokën pas, që ndoshta në një situatë tjetër, në një të ardhme të afërt, mund të rikthehet përsëri. Ndërsa Tiranën e drejton provizorisht zëvendëstrajneri Indrit Fortuzi.



Halili



Megjithatë "Baka" bëri një zgjedhje, e cila e shpëtoi nga "makthi" bardheblu. Tashmë njeriu që po e vuan është presidenti Refik Halili, i cili ndihet i tensionuar dhe i braktisur, por thekson se do të gjejë forcë, edhe pse i vetëm, për të ndryshuar situatën: "Largimi i trajnerit më ka tronditur shumë. Bëra të pamundurën për të bindur të mos largohet, por gjatë 48 orëve të fundit ai më thoshte vazhdimisht se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Duket se të gjithë punojnë kundër meje. Duan të mos më lënë të realizoj objektivat që kam thënë në fund të sezonit. Për momentin nuk kemi vendosur zëvendësues, do të na duhet pak kohë ta marrim veten dhe më pas të bëjmë zgjedhjen më të mirë".