Për njohësit e rok-muzikës Jon Lord gjithsesi njihet si sinonim i rok-muzikës. Babai i “Child in Time” dhe i "Smoke On the Water", ish-pianisti 71-vjeçar i grupit Deep Purple vdiq të hënën, në Londër.

Që nga gushti i kaluar ai po shërohej nga kanceri i pankreasit. Vdiq të hënën, në një spital londinez, i rrethuar nga familja e tij e ngushtë.

"Jon iku nga Terri drejt Dritës”, u tha shkurt në kumtesën njoftuese.

Jon Lord u ndikua shumë nga muzika klasike, blues dhe jazz, edhe pse më së tepërmi njihej për interpretimin virtuoz të Hammond’it të tij dhe për meritat që Deep Purple të shndërrohej në grupin pionier të rokut progresiv.

Ai ndërkohë u nderua nga shumë muzicientë të njohur, përfshirë ish-kolegun e tij në Deep Purple, Joe Satriani, apo grupet Iron Maiden dhe Anthrax.

Edhe ish-pianisti i grupit Yes, Rick Wakeman, ishte një mik dhe adhurues i madh i tij.

"Ne mendonim të shkruanim dhe incizonim një album me të, para se të sëmurej. Kontributi i tij dhënë muzikës dhe rokut klasik është i pamatshëm. Do të më mungoj tmerrësisht shumë”, u shpreh ai.

Lord, i lindur në Leicester, mësoi herët të interpretonte në piano klasike, para se të joshej nga legjenda e hershme e rock’n’rollit, Jerry Lee Lewis, dhe nga jazz organisti, Jimmy Smith.

Pak kohë më vonë ai mund të vazhdonte karrierën si aktor, meqenëse fitoi një bursë shkollimi për dramë. Por, në vend të kësaj, Lord filloi të bënte muzikë me një grup që interpretonte nëpër kafeteri, e – për shkurtazi – edhe me Art dhe Ronnie Wood (i cili më vonë do të bëhet i famshëm si anëtar i grupit Rolling Stones). Gjithashtu, Lord punoi edhe me shumë studio-muzicientë dhe interpretoi në piano bashkë me grupin The Kinks, në hit këngën “You Really Got Me”. E, pasi në një projekt tjetër takon kitaristin, Ritchie Blackmore, lind ideja për krjimin e grupit Deep Purple.

Ndikimi i muzikës klasike tek Lord del në pah kur ai kompozon veprën “Concerto for Group and Orchestra”, të cilën grupi e interpreton në Royal Albert Hall, në vitin 1969, bashkë me Orkestrën Filharmonike Mbretërore. Ndërkohë, grupi së shpejti ridefinon tingullin e tij ‘hard-rock’, kështu që, falë albumit “Rock and Machine Head”, në fillim të viteve të 70’a Deep Purple përjeton një ngritje meteorike. Gjatë viteve që njihen si vite klasike të grupit, veç Lord pjesë e Deep Purple ishin edhe Richie Blackmore, këngëtari Ian Gillan, timpanisti Ian Paice dhe bas-kitaristi Roger Glover.

Veç angazhimit në grup, Lord vazhdoi të kompozojë edhe vepra klasike, ndërsa pas shpërbërjes së grupit, në vitin 1976, ai i bashkohet grupit tjetër të madh, Whitesnake - pjesë e të cilit ishin Paice, Ashton dhe Lord.

Për herë të fundit Deep Purple interpretoi në vitin 1984, kur, nëpërmjet interpretimit për qindra-mijëra adhurues nëpër botë edhe përfundoi pushtimi komercial i planetit nga Purple. Deri atëherë grupi shiti mbi 150 milionë albume.

Përkundër këtyre ndryshimeve, Lord vazhdoi të mbetej i pranishëm në skenën e rokut deri në vitin 2002. Meqë ende kompozonte, ai nënshkroi një kontratë me një shtëpi muzikore që merrej me muzikë klasike, dhe interpretoi me rastin e shënimit të 30-vjetorit të veprës “Concerto for Group and Orchestra”.

"30 vjet pas krijimit, vepra u rikthye dhe sërish ma ndryshoi jetën... Ajo më dha kurajën për t’u rikthyer dhe për të latuar karrierën time jashtë grupit”, pat thënë Lord në një intervistë.

Vitin e kaluar diagnostikimi i tij me kancer u shndërrua në kryelajm, përderisa ai i porosiste adhuruesit se do të vazhdonte të shkruante muzikë, si pjesë të terapisë. Kjo terapi duket se funksionoi shkurt.

Lista e muzicientëve që të martën po dërgonin mesazhe respekti për “më të madhin” në mesin e tyre dëshmoi s roku vërtet mbeti pa të “Zotin” (Lord). /BBC/