Me nënshkrimin e kartës për vëllazërim të premten në Zubin Potok, për bashkëpunim të ardhshëm janë obliguar 19 qytete nga Republika Srpska e Bosnjës dhe 25 komuna (ilegale) nga Kosova, njofton e ashtuquajtura zyrë qeveritare e Serbisë për Kosovë-Metohinë.


“Po mblidhemi për shkak se jemi të rrezikuar, t’iu afrojmë shpresë dhe të ndërpresim frikën, po mblidhemi për arsye se Kosova është Serbi”, tha ndihmësdrejtori i Zyrës serbe, Mirko Krliq, transmeton agjencia e lajmeve Fonet.


Kreu ilegjitim i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq theksoi se “iniciativa për vëlazzërim ka ardhur në momentin e duhur, në kohën kur po zhvillohet beteja vendimtare për të mbetur pjesë e Republikës së Serbisë dhe që Serbinë ta ruajmë në Kosovë-Metohi për secilin serb”.


“Do të organizohemi sipas shembullit të vëllezërve tanë në Republika Srpska, por me idenë themelore që Serbinë ta ruajmë në këto hapësira”, shtoi Ristiq./Indeksonline/