Ish-portieri i Dinamos rrëfen ditët me Terekun dhe shpotit thirrjen e munguar në kombëtaren kuqezi Luan me një skuadër çeçene në një kampi onat që në kohë është duke shijuar pushimet. Ilion Lika, portieri kuqezi që aktivizohet me Terekun e Groznit, skuadra e kryeqytetit të krahinës autonome të Çeçenisë, militon në superligën e Rusisë dhe ka mundur të bëjë një paraqitje dinjitoze, ndonëse ishte një "outsider", pasi për herë të parë ngjitej në kategorinë e më të mirëve të Rusisë. Për Likën emocionet e kësaj aventure në veri të Kaukazit janë vërtet të mëdha, aq më tepër kur si mysliman i devotshëm, gjendet në mes të një popullate të besimit islam, çka të bën të rrethohesh nga respekti dhe ngrohtësia. Jo më kot Ilioni është lojtari i preferuar i presidentit të Terekut të Grozinit, Ramzan Kadirov, i cili është gati t'i rinovojë kontratën e re, sidomos pas paraqitjes së mirë të Likës dhe skuadrës në këtë sezon. "Na përgëzuan për paraqitjen e mirë në këtë sezon, sepse, siç dihet, ky ishte viti ynë i parë në ligën e parë ruse. Vitin tjetër presim që të kemi objektiva më të larta, pasi dhe përforcime do të ketë,"- tregon portieri që aktivizohet edhe me kombëtaren e Shqipërisë. Lika gjendet në atdhe, ku do të kalojë disa ditë përpara se të grumbullohet me ekipin për të zhvilluar fazën përgatitore në Antalia. "Erdha në Shqipëri dhe po stërvitem me Tiranën, derisa të më njoftojnë për nisjen e fazës përgatitore që do ta bëjmë në Antalia. Për 20 ditë do të qëndroj në Shqipëri dhe do të stërvitem me Tiranën. Kam biseduar me drejtuesit bardheblu dhe ata më lejuan të stërvitem me skuadrën e parë. Dua t'i falënderoj për këtë." Si një prej elementëve më të spikatur të Terekut, Lika është vënë në shenjestrën e disa prej klubeve më të mëdha të Rusisë, por portieri kërkon të tregohet i matur: përpara shifrave të majme vjen ndjenja e detyrimit karshi një skuadre dhe një tifozërie që të respekton, madje. "Jam shumë i lumtur në Grozni. Oferta nga ekipe të tjera kam pasur, por jam vërtet i lumtur me Terekun. Drejtuesit e skuadrës më kanë kërkuar rinovimin e kontratës dhe do të ulemi të bisedojmë shumë shpejt. Çfarë do të bëja nëse do të më vinte një ofertë e majme nga një klub më i njohur? Paratë nuk janë gjithçka dhe këtë e them me bindje. Unë ndihem borxhli ndaj skuadrës sime, ndaj presidentit që më ka mbajtur shumë afër, duke më ofruar të bëhem shtetas çeçen, madje duke më siguruar edhe një shtëpi të mirë aty. Një presidenti të tillë nuk i thuhet jo. Kjo është ajo që më bën të mendohem dhe më luhat pasi kurrë më parë nuk kam provuar të tillë ngrohtësi,"- thotë Ilioni përsa i përket kontratës së re me Terekun, por vetëm pak sekonda më pas shprehet më i vendosur. "Tereku ka ambicie dhe besoj se do të rinovoj. Jemi një skuadër që kemi krijuar reputacion në kampionatin rus, një skuadër e fortë. Nuk na presin keq dhe nuk na shohin me sy të shtrembër. Ne e mbyllëm kampionatin në vend të 10-të nga 16 skuadra që ka superliga ruse,"- komenton Lika, pasi, siç dihet, Tereku është i vetmi përfaqësues i popullatës myslimane të Rusisë, një vend i besimit ortodoks, besim që të shkuarën është shndërruar në konflikt të armatosur mes Çeçenisë, që kërkonte pavarësi, dhe Rusisë. Por tani gjendet në Shqipëri dhe si një ish-lojtar i kampionatit tonë, Lika nuk mund t'i shpëtojë këtij argumenti. Thotë se nuk e ka ndjekur aq sa duhet superligën dhe i vetmi burim ka qenë interneti. Megjithatë, ai ka arritur të krijojë përshtypjet e para dhe beson se titulli do të jetë një sfidë dyshe mes Vllaznisë dhe Tiranës. "Kampionatin shqiptar nuk e kam ndjekur, sepse nuk kam pasur mundësi. I vetmi burim për mua është interneti kam parë rezultatet apo kam lexuar ndonjë kronikë ndeshjeje. Megjithatë, mund të them se Vllaznia më është dukur shumë e fortë, por edhe Tirana pavarësisht luhatjeve që ka duhet pasur kujdes, sepse mund ta marrë veten shumë shpejt. Për mendimin tim, këto dy skuadra do luftojnë shumë,"- jep mendimin e tij ish-gardiani i Dinamos. Tjetër argument i bisedës sonë me Likën ishte edhe kombëtarja. Prej disa kohësh, Ilioni e ka humbur vendin e tij si portieri numër 2 me kuqezinjtë, por edhe për këtë ka një alibi.