Mikel Bizhyti

Ilion Lika, portieri i Elbasanit dhe kombëtares shqiptare, prej pak ditësh ka firmosur një kontratë të majme me skuadrën cecene, Terek Grozni, që luan në Divizionin e Parë të kampionatit rus. Shifra që ai do të përfitojë në dy vitet e ardhshme është 500 mijë $, ndërkohë që një shumë e tillë financiare ka mposhtur dhe konkurencën me skuadrën ruse, Tomsk, e cila kishte shfaqur interesim të madh për 25-vjecarin shqiptar. "Jam i kënaqur që arrita një marrëveshje të tillë me skuadrën e Terek Groznit, e cila ishte shumë e interesuar për shërbimet e mia. Në fakt, unë kisha edhe një ofertë të mirë nga skuadra ruse, Tomsk, por Terek ishte i gatshëm të më ofronte një shumë të tillë prej 500 mijë $, të cilën unë nuk mund ta refuzoja. Drejtuesit e skuadrës sime të ardhshme nuk nguruan të më vinin përpara kontratën për ta firmosur, duke mos më marrë fare në provë. Unë u stërvita pak ditë me skuadrën në Turqi në fazën përgatitore që ajo po zhvillon dhe dje u riktheva në Tiranë. Pak ditë më vonë do të shkoj sërish në Antalia", shprehet portieri Lika.
"Dua një vend titullari në kombëtare"
"Nuk mund ta fsheh dëshirën dhe ambicien time për të qenë jo vetëm pjesë e kombëtares, por edhe titullar ashtu si në sezonin e kaluar. Mendoj se një transferim i tillë në një skuadër të kampionatit rus do të jetë një arsye më shumë që trajneri Han të besojë në vlerat e mia. Natyrisht që, një pjesë të rëndësishme ka edhe paraqitja ime në përbërje të skuadrës së re", janë fjalët e talentit të portës, Ilion Lika.
,b>Tifozeria verdheblu "qan" largimin e Likës
Për Ilion Likën, natyrisht që karriera e tij ka marrë një tjetër rrjedhë, madje shumë pozitive, por për tifozerinë verdheblu transferimi i tij nga skuadra konsiderohet shumë i rëndë. Tifozët e skuadrës të shumtë në numër, "qajnë" largimin e idhullit të tyre i cili bëri të harrohej shumë shpejt portieri Elvis Kotorri, ish-kampion me skuadrën, dy sezone më parë. Tashmë ata presin një tjetër portier cilësor nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë nisur kërkimet në vendet fqinjë, Kosovë e Maqedoni.