Skënderbeu i rikthehet kampionatit në përballjen me Laçin. Ekipi i Dajës kryeson pas katër javëve të para dhe në përballjen e Korçës me kurbinasit synon të vazhdojë serinë pozitive të rezultateve, aq më tepër që ndalesa për shkak të eliminatoreve të Botërorit, sipas trajnerit ka ndihmuar ekipin të pushojë mjaftueshëm pas një periudhe jo pak të ngarkuar.


Pas këtij pushimi që e kishim të nevojshëm duhet të kapim ritmin e katër javëve të para ku kemi qenë mirë qoftë në performancë dhe realizim. Kemi 3 pikë diferencë me ndjekësit dhe duhet të tentojmë të thellojmë diferencën sepse duke patur parasysh që luajmë dhe në Europa League është mirë të jemi të qetë për të dhënë më të mirën dhe në këtë kompeticion.


Për Dajën e rëndësishme është që skuadra të vlerësojë maksimalisht këtë përballje duke kujtuar dhe suksesin e kurbinasve në javën hapëse të kampionatit në kryeqytet ndaj Partizanit.


Na duhet një përqendrim sepse Laçi ka treguar që me ekipe të forta ka bërë mirë dhe për më tepër 2/3 e pikëve janë me ekipe jo rivalë ndaj dhe vlera e 3 pikëve nesër është njësoj sikur të fitosh me Kukësin dhe Partizanin , sepse vlera e tyre mbetet e njëjtë për çdo fitore pavarësisht emrit të kundërshtarit që ke përballë.


Të enjten e ardhshme, Skënderbeu do të përballet me Partizanin e Beogradit por për trajnerin e ujqërve të dëborës ndeshja më e rëndësishme është gjithmonë ajo pasardhësja dhe ngjeshja e kalendarit nuk është se përbën më një problem.


Jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e Laçit sepse çdo lloj shpërqendrimi do të ishte në dëm të ndeshjes së nesërme. Jemi mësuar tashmë me këtë ngjeshje kalendari ndaj nuk përbën më problem për ne.


11 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)