Apostol Bitraku



Sa herë bie fjala për historinë e trevës së Korçës së shekullit XVIII - XIX, sidomos për Voskopojën, Vithkuqin, Beratin e më gjerë, studiuesit e historianët i drejtohen dhe citojnë shpesh Ilo Mitkë Qafëzezin. Dhe kjo, jo pa shkak. Ai ishte gjurmuesi, zbuluesi dhe studiuesi i palodhur i mjaft dokumenteve, dorëshkrimeve, fakteve historike e gjuhësore të asaj periudhe. Këto dorëshkrime e dokumente nga autorë të njohur të kohës që, për arsye që kuptohen, ishin harruar ose ishin bërë tepër të rralla, ai i zbuloi nëpër bibliotekat e kishave dhe manastireve të ndryshëm, nëpër kodikët e tyre, si dhe në arkivat e familjeve të vjetra me tradita të njohura patriotike.

I tillë njihej në Korçë nga të gjithë Ilo Mitkë Qafëzezi, ndaj dhe humoristi i njohur korçar Kristaq Cepa (Kapa), duke përgatitur peshqeshet e Vitit të Ri 1940 për figurat e njohura dhe intelektualët e shquar të qytetit i “sjell një peshqesh” edhe atij. (Xhaxhi Ilos Qafëzes/ i kam sjellë plot një thes/Dokumenta 40 okë/ Dhaskal Todhër, Dhaskal Gjokë).

“Peshqeshet” ishin tepër të goditura. Në 4 vargje Kapa vlerësonte me mjeshtëri, dashamirësi dhe humor punën e madhe e të palodhur të këtij studiuesi.



Kush është Ilo Qafëzezi?

Po cili ishte Ilo Mitkë Qafëzezi? Ai kishte lindur në Korçë në vitin 1889, por familja e tij kishte ardhur nga Qafëzezi i Kolonjës. Shkoi në Rumani që kur ishte 13 vjeç, pastaj emigroi në Amerikë si punëtor i një fabrike deri në vitin 1924, kur u kthye përfundimisht në Korçë dhe punoi si mësues e drejtor shkolle. Dashuria dhe pasioni i tij për mësimin, leximin dhe diturinë që në moshë të re, si dhe dashuria për atdheun dhe patriotizmi, siç thotë vetë ai, iu nxitën dhe iu ndikuan nga tre faktorë. Në radhë të parë, ishte mësuesi i tij, i mirënjohuri Nuçi Naçi që i rrënjosi në mendje e në zemër dashurinë për vendin dhe pasionin për gjuhën shqipe e diturinë. Veprën e tij kryesore të mëvonshme, komedinë “Dhaskal Gjoka”, ai do t’ia kushtonte pikërisht këtij mësuesi të nderuar: “I kushtohet hijes së adhuruar të mësonjësit tim të ndjerë, Nuçi Naçi, që më frymëzojti shumë dashuri, për shqipe dhe për Shqipëri”, - shkruan ai në fillim të veprës. E dyta, duke qenë në mjedise e në kontakt të kolonive shqiptare jashtë vendit, mori prej tyre edukatën patriotike dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë të lirë nga pushtuesit e huaj. E treta, ndikim të fuqishëm, që nuk e harroi tërë jetën, pati tek Ilo Mitkë Qafëzezi edhe poeti ynë i Rilindjes, bashkëpatrioti i tij, Asdreni.



Hapat e parë të Qafëzezit

Ishin këto ndikime, ishin këta faktorë të fuqishëm që e bënë atë ti futet leximit dhe mësimit duke shfletuar gazeta, revista e libra të ndryshëm, në mënyrë autodidakte dhe të mbledhë e të grumbullojë gjithçka që i binte në dorë për Shqipërinë dhe për historinë e popullit shqiptar. E tërhiqte shumë krijimtaria popullore, folklori, këngët, tregimet, përrallat e legjendat dhe sidomos humori që shpalosej në to. Ai jo vetëm lexonte e studionte, por edhe botonte në gazeta e revista të kohës sa herë i paraqitej rasti. Ishte vetëm 16 vjeç kur botoi në Rumani anekdota shqiptare që nuk kaluan pa rënë në sy të mjaft lexuesve e studiuesve. Edhe kur ishte në Amerikë, megjithëse punëtor fabrike, nuk rreshti së mbledhuri material folklorik nga goja e popullit, e shqiptarëve që punonin e jetonin atje. Fryt i kësaj pune ishte botimi i librit të parë të tij “Rrësku arbëror” më 1910. Në këtë vëllim, autori me një humor të hollë, përpunoi në vargje rrëfenjëzat e bukura të mbledhura me kujdes nga goja e popullit. Aty ironizohen, vihen në lojë e fshikullohen kadilerët, pashallarët, bejlerët, hoxhallarët e priftërinjtë që gënjenin e mashtronin popullin.

Po aty, në Amerikë, ku krahas punës vazhdonte edhe shkollën, ra në kontakt për herë të parë me shkrime të ndryshme që flisnin për figura të njohura e luftëtarë trima të Shqipërisë. E tërhoqi veçanërisht figura e Ali Pashë Tepelenës, veziri i Janinës, për jetën e vrullshme, ashpërsinë, po edhe për trimërinë e fundin e tij tragjik. Kjo ishte arsyeja që djaloshi i ri, i apasionuar pas këtyre figurave të spikatura historike, zgjodhi, përktheu e përshtati në shqip “Historia e Ali Pashë Tepelenës” të Arvantinoit. Përkthimin ai e pasuroi dhe e ilustroi edhe me këngë popullore që këndoheshin për vezirin famëmadh.



Në kërkim të thesareve

Veprimtaria letrare e Ilo Mitkë Qafëzezit u përqendrua edhe në përhapjen e ideve patriotike dhe dashurinë për vendin. Kjo u duk në mjaft shkrime të tij në revistën “Shqipëria e re” ku ai ishte redaktor në 52 numrat e saj. Kjo ishte një periudhë pune shumë e ngarkuar dhe intensive për të. Ai lexonte, grumbullonte material dhe përkthente në shqip dhe botonte. Në një kohë rekord, shumë të shkurtër, botoi “Historia e Napoleon Bonapartit”,”Qysh u gjend Amerika”,”Kurani shqip”( Këndime ) etj.

Pas kësaj kohe, ai u kthye përfundimisht në atdhe, ku puna e tij mori një drejtim tjetër, kryesisht punë e mirëfilltë gjurmuese, studiuese për fakte e të dhëna me karakter historik e gjuhësor, sidomos për Korçën, Voskopojën, Vithkuqin, Beratin, etj., që ishin qendra të zhvilluara në shekullin e XVIII; – si dhe për njerëzit e figurat e shquara të asaj kohe. Tani ai ishte i pajisur me një kulturë të gjerë, përvetësonte disa gjuhë të huaja të Ballkanit dhe të Evropës dhe kishte përgatitjen e duhur për të vlerësuar dhe interpretuar veprat historike e gjuhësore të figurave të njohura të këtyre qendrave. Me një punë këmbëngulëse e sistematike, ai zbuloi në manastirin e Shën Pjetrit në Vithkuq dhe në kishat e Voskopojës një dorëshkrim të Theodhor Kavaliotit dhe një dorëshkrim shqip të Dhaskal Kostë Vithkuqarit. Po kështu, zbuloi edhe një kopje të botimit të parë të fjalorit katërgjuhësh të Dhanilit, botuar në Venedik, në vitin 1794. Më vonë, ai zbuloi edhe fjalorët shqip – greqisht, dorëshkrime të Kostandin Beratit që sot ndodhen në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Në këto kisha ai zbuloi edhe abetaren e Naum Veqilharxhit të vitit 1844.

Por puna e tij nuk u mjaftua me kaq. Këto zbulime e fakte të reja, shumica e tyre të panjohura deri atëherë, ai i bëri të ditura duke i botuar në organe të ndryshme të shtypit që dilnin në atë periudhë, si në Korçë, ashtu dhe në qytete të tjera. Pati bashkëpunim të përhershëm me “Gazetën e Korçës”, “Hylli i dritës”, revistat “Leka”, “Minerva”, etj. Ai botoi një sërë shkrimesh dhe qe i pari që solli fakte e botoi dokumente me shumë interes për zhvillimin ekonomik, politik e kulturor të trevës së Voskopojës, Korcës, Vithkuqit, Beratit etj, si dhe shkaqet që çuan në prishjen e shkatërrimin e tyre.





Sprova të suksesshme



Por vepra më e rëndësishme e kësaj periudhe është botimi i komedisë “Dhaskal Gjoka”më 1936, ku flitet për ambientin e shkollave të para shqipe dhe për mësuesit patriotë të asaj kohe. Autori këtu botoi edhe një studim te gjatë ku flitet dhe sillen fakte të reja mbi historinë e arsimit dhe të kulturës në Shqipëri në periudhën XVII – XIX.

Ilo Mitkë Qafëzezin në punën e tij e kanë tërhequr tepër edhe traditat, zakonet e vjetra, bile edhe lodrat e fëmijëve të vegjël. Studimi i tij “Zhvillimi i lodrave të kalamanit shqiptar”u përdor nga profesori rumun Theodhor Kapidani në veprën e tij “Lodrat me ashikë tek fëmijët e Ballkanit”. Në këtë kuadër duhen përmendur edhe veprat e botuara nga Ilo Mitkë Qafëzezi që i përkasin shkencës së vulgarizuar si “Oftika”, “Frëngjyza”, ”Tërmetet”, etj. Këto vepra shërbyen për të zgjeruar njohuritë tek njerëzit, duke u dhënë edhe këshilla se si të mbrohen nga këto sëmundje që, në atë kohë, për shkak të kushteve

të vështira të jetesës, ishin mjaft të përhapura.



Zbulesa e Kavaliotit

Ilo Mitkë Qafëzezi, si njohës i thellë i historisë së Voskopojës dhe i jetës e veprave të Theodhor Kavaliotit, ishte i pari që shkroi një monografi me vlerë për të. Kjo monografi që titullohej “Protopapa Theodhor Nastas Kavalioti Voskopojari, Shkollarku i Akademisë së Re të Voskopojës”, është një sintezë e 15 artikujve dhe studimeve speciale botuar nga autori gjatë periudhës 1934 – 1943 në revistat kulturore “Jeta”,”Minerva”etj dhe që sot ruhet dorëshkrim i daktilografuar në arkivin e Institutit të Historisë e Gjuhësisë në Tiranë. Po kështu, dorëshkrim i pa botuar, ka mbetur edhe një monografi e gjatë për Korçën.

Siç dihet, Theodhor Kavalioti botoi në Venedik, në vitin 1770 veprën e tij kryesore “Protopiria”, ku bëhet fjalë për mësimet fillestare. Brenda saj ka edhe një fjalor greqisht – arumanisht – shqip me 1770 fjalë. Më vonë, gjatë 228 viteve, për interesin që kishte, ky fjalor u ribotua disa herë nga albanologë të njohur. Një gjë të tillë bëri edhe studiuesi i palodhur korçar Ilo Mitkë Qafëzezi. Në vitet 1936 – 1938, ai ribotoi në Shkodër fjalorin e Kavaliotit, duke e vënë pjesën shqipe në alfabetin e sotëm. Fjalori i Kavaliotit kishte tri shtylla; greqisht, vllahisht, shqip. Albanologu Thunman shtoi dhe vuri në shtyllën e parë latinishten dhe greqishten e la ne fund te faqeve. Kurse Ilo Mitke Qafezezi e ka vendosur shqipen ne shtyllën e parë, duke i sjellë kështu një shërbim të vyer gjuhësisë shqiptare si dhe gjuhësisë së krahasuar ballkanike. Gjithashtu, me ribotimin e këtij fjalori, ai dha një ndihmesë me vlera për njohjen më të mirë të figurave të kulturës kombëtare shqiptare të së kaluarës.



Siç shihet, Ilo Mitkë Qafëzezi, megjithëse autodidakt, ka bërë një punë të madhe e voluminoze, duke sjellë një kontribut të shquar në mjaft fusha të veprimtarisë letrare e shkencore. Ai ishte i pajisur me një kulturë të gjerë dhe biblioteka e tij ishte shume e pasur. Botoi shumë vepra, po mjaft të tjera mbetën pa botuar, dorëshkrime. Kjo punë kaq e madhe e voluminoze bëri që gradualisht atij t’i dobësohej të parët. Më 1946 i ndodhi fatkeqësia më e madhe në jetën e tij, humbi krejtësisht dritën e syve nga një sëmundje e gjatë dhe e rëndë. Megjithëkëtë, vullneti e këmbëngulja e tij ishin për tu admiruar. Megjithëse pa sy, dhe me ndihmën e nje sekretareje që iu dha, ai nuk e ndërpreu punën. Ai sistemonte e plotësonte materialet e grumbulluara dhe vazhdoi të botonte. Për punën e tij të palodhur e të frytshme për më se gjysmë shekulli, ai është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme.

Ilo Mitkë Qafëzezi vdiq në Korçë në vitin 1964, duke lënë pas emrin e mirë dhe shumë botime në fushën e letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Do të ishte më vend që vepra e tij, sidomos dorëshkrimet e pabotuara, të grumbullohen, të sistemohen dhe të gjitha të shohin dritën e botimit, pasi kjo do t’u shërbejë lexuesve, historianëve dhe studiuesve për të njohur të kaluarën dhe përpjekjet e luftën e popullit tonë për liri, pavarësi e përparim shoqëror.









22 Mars 2010