Kritiku Arben Imami ka folur për mediat jashtë mbledhjes së Kryesisë së PD, duke sqaruar debatin me kreun e partisë, Lulzim Basha për grupin e punës që u propozua për ndryshimet statuore dhe refuzimin e tij për të qenë pjesë e tij.


Imami u shpreh se PD ka nevojë për një diskutim të thellë politik, pasi është në rënie të vazhdueshme.


Në konkluzionet e pakta që u paraqitën nuk përfaqësohej mendimi i shumë anëtarëve. Propozimi për thirrjen e Kuvendit është krejtësisht i papritur dhe nuk është i motivuar. Zgjidhjet që duhet t’i vijnë kësaj partie nuk mund të jenë zgjidhje burokratike, me një grup pune. Kjo parti ka nevojë për një diskutim serioz dhe të thellë politik. Negative është që në fakt, që pas zgjedhjeve në sondazhet që bëhen në Shqipëri, PD dhe kryetari i saj janë në rënie të vazhdueshme. Ky është një shqetësim i madh, pasi kemi një qeverisje të pashpirt me njerëzit. Ky është problemi serioz, për të cilin unë jam i angazhuar. Elementët e tjerë, se cilët janë anëtarët e grupit, ata përzgjidhen konsensualisht, kur të gjitha palët janë në tavolinë, deklaroi Imami.


Për ish-ministrin e Mbrojtjes, debati për përfshirjen ose jo në grupin e punës është një çështje e parëndësishme e hedhur nga Lulzim Basha, pasi thelbi sipas tij është a do të ketë një diskutim të hapur, pasi këtu ka shumë njerëz që kanë folur për ndryshimet në parti.


A do të diskutohet me ta. Debati bëhet vetëm në parti. Analiza është e njëanshme, pasi nisi proceis pa kaluar në Këshillin Kombëtar. Ky kongres do të çojë në formalizimin e mosbashkimit të Partisë Demokratike, tha Imami.


I pyetur nga gazetarët lidhur me pozicionin e tij si kritik në PD, Imami tha se nuk është as i afruar e as i larguar nga partia.


8 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)