Kryeprokurorja tha se ndryshimet e bëra në ligjin për prokurorinë nuk e cënojnë aspak atë, pasi nuk është ndryshuar neni që kufizon imunitetin e Prokurorit të Përgjithshëm



TIRANË - “Nuk ndihem e kufizuar në imunitet, pasi nuk është paraqitur një ndryshim i tillë”. Ky ka qenë qëndrimi personal i kryeprokurores Ina Rama, e cila më në fund vendosi të thyejë heshtjen, duke komentuar ndryshimet e bëra në ligjin për prokurorinë. Në deklaratën e parë zyrtare për këtë çështje, kryeprokurorja megjithëse nuk pranoi se ndryshimet në ligj kufizojnë imunitetit e saj, la të hapur idenë se institucioni që ajo drejton do të ketë një qëndrim institucional, pasi të jetë njohur me të gjithë draftin e hartuar nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë. Projektligji i ri, i cili kohët e fundit ka prodhuar jo pak debat në qarqet politike, madje duke u komentuar edhe si një përpjekje e qeverisë për të vënë në varësi organin e akuzës, është cilësuar nga kryeprokurorja si diçka që kërkon kohë për t’u shqyrtuar. Ina Rama konfirmoi se projektligji është dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku po shqyrtohet nga një grup i posaçëm pune. “Projektligji sapo na është vënë në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë dhe u është shpërndarë prokurorëve dhe Këshillit të Prokurorisë, të cilët pas shqyrtimit do të japin edhe mendimin e tyre mbi ndryshimet e kryera. Pasi të realizohet ky proces, do të vijë edhe mendimi institucional mbi këtë projekt”, - tha kryeprokurorja Ina Rama, duke lënë të kuptohet se kjo deklaratë nuk është qëndrimi zyrtar i institucionit që ajo drejton. Pyetjes nëse projektligji parashikon një ndryshim të nenit mbi imunitetin e Prokurorit të Përgjithshme, Ina Rama i është përgjigjur: “Nuk është paraqitur një ndryshim i tillë”, duke refuzuar të komentojë më tej këtë çështje, e cila është edhe pika më e kontestueshme nga të gjitha ndërhyrjet që i është bërë ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve, të cilët përsëritën pyetjen nëse kryeprokurorja ndihej e kufizuar në imunitetin e saj, Ina Rama tha: “Nuk ndihem e kërcënuar në lidhje me imunitetin tim. Gjithsesi, për të mbajtur një qëndrim rreth një ligji, nuk mendoj se ky është vendi i përshtatshëm. Mendoj se duhet të ulesh, të arsyetosh dhe të japësh argumente”, - sqaroi Prokurorja e Përgjithshme. Deklarata e parë zyrtare e Ina Ramës rreth ndryshimit të ligjit për prokurorinë erdhi gjatë një takimi të misionit policor “PAMEC”, ku ishin të ftuar ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ai i Brendshëm, Bujar Nishani. Që prej më shumë se një muaji, ndryshimet e bëra në ligjin për prokurorinë janë kthyer në një çështje tepër të debatueshme, jo vetëm në qarqet politike, por edhe ato diplomatike. Një diplomat i ambasadës amerikane deklaroi kohë më parë, se projektligj për prokurorinë që pritet të hyjë me procedurë të përshpejtuar në vjeshtë, parashikon uljen e profilit të këtij institucioni dhe rritje të ndikimit politik ndaj organit të akuzës.