Kreu i akuzës, në analizën vjetore

Ina Rama nuk i ka kursyer kritikat ndaj prokurorëve të Korçës. Kryeprokurorja Ina Rama ka mbajtur qëndrim kritik gjatë analizës së punës njëvjeçare të institucionit të akuzës në qytetin juglindor. Edhe pse në total puna e prokurorëve është vlerësuar, burime nga brenda takimit kanë bërë të ditur se Rama është ndalur në punën e secilit prokuror në veçanti. Kryeprokurorja ka kërkuar nga vartësit më shumë angazhim lidhur me kompletimin e dosjeve dhe hetimin sipas rasteve. Numri një i akuzës ka theksuar se duhet të ketë një angazhim maksimal, duke kërkuar kështu më shumë rezultate nga ana e përfaqësuesve të institucionit të akuzës. Zëdhënësi i këtij institucioni, Sotiraq Stratobërdha, ka bërë të ditur se analiza në tërësi ka pasur një frymë kritike dhe se Kryeprokurorja është ndalur në raste të veçanta të trajtuara nga ana e prokurorëve, duke ju dhënë edhe sugjerime për përmirësimin e punës në këtë institucion.






#