TIRANE – Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, lë gjurmë në Prokurorinë e Belgjikës, pasi salla kryesore e këtij institucioni në Bruksel ka marrë emrin “Salla Ina Rama”. Ky nderim i është bërë prokurores së Përgjithshme të Shqipërisë gjatë një vizite që ajo zhvilloi në Bruksel ditët e fundit. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje se Ina Rama, nga data 9 maj deri më 13 maj 2011, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, ku ishte e ftuar nga prokurori Federal belg, Johan Delmulle. Sipas organit të akuzës, qëllimi i kësaj vizite ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë dhe Prokurorisë Federale të Belgjikës. Burimet thanë se marrëveshja u nënshkrua në datën 10 maj nga të dy titullarët e institucioneve edhe në prani të funksionarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë belge, përfaqësuesve të lartë të Policisë, si dhe përfaqësuesve të lartë të Komisionit Europian. Në deklaratë thuhet se marrëveshja midis dy prokurorive ngre në një shkallë më lartë bashkëpunimin e ngushtë të deritanishëm midis dy institucioneve. Pas këtyre formaliteteve dypalëshe, në shenjë nderimi dhe mirënjohje për bashkëpunimin, pas nënshkrimit të marrëveshjes nga dy titullarët, u zhvillua një ceremoni, gjatë së cilës salla kryesore e mbledhjeve të Prokurorisë Federale belge u emërtua “Salla Ina Rama”. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka qenë aktive në raport me marrëdhëniet me jashtë, duke theksuar këtu në veçanti zgjerimin e raporteve të Prokurorisë me palën amerikane, angleze, italiane dhe belge.