Rreth mesditës së djeshme, dy zyrtarë të SHBA-së janë pritur nga Rama. Takimi ka zgjatur disa dhjetëra minuta, ndërsa në përfundim të tij palët nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë shtypi, duke nënkuptuar solidaritetin e ambasadës në drejtim të akuzës qendrore.
Ajo, ditët e fundit, është vënë në “shënjestër” nga Ministria e Brendshme dhe nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me dosjen “Fazlliç”.
Burime nga akuza thanë se në takim është diskutuar rreth ndihmës së ambasadës për hetimin e disa dosjeve, ndërsa Kryeprokurorja ka falënderuar amerikanët për ndihmën dhe mbështetjen ndaj institucionit të akuzës, edhe në pikëpamjen morale.
Më konkretisht, mësohet se Ina Rama ka falënderuar përfaqësuesit e ambasadës për ndihmën e dhënë në hetimin e çështjes “Trebicka”, pasi një ekspert i policisë amerikane ka asistuar në hetime.
Por burimet nuk pohojnë nëse Kryeprokurorja i ka kërkuar përfaqësuesve të ambasadës amerikane ndihmë për hetimin e Damir Fazliç, i cili deri në këtë moment akuzohet për pastrim parash në Shqipëri.
Megjithatë, ajo çfarë mësohet nga burime konfidenciale është se prokuroria shqiptare ka mbështetjen e plotë të përfaqësuesve diplomatikë të shtetit më të fuqishëm në botë.
Tashmë prokuroria shqiptare duket se ka një “partner” tjetër në luftën kundër korrupsionit, edhe pse segmente të politikës e kanë siluruar së tepërmi atë.
Pas marrjes së detyrës nga Ina Rama, mbështetësja kryesore e akuzës ishte qeveria dhe përkatësisht dy institucionet: Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme.
Pikërisht javën e parë të detyrës, Rama ka takuar Nishanin dhe Alibeajn. Por në vazhdim, me fillimin e hetimeve për disa skandale, Nishani dhe Alibeaj kanë “braktisur” kryeprokuroren “Silvia Konti”, duke sulmuar institucionin e akuzës me të njëjtin intensitet si në kohën e Sollakut.
Duket se tashmë, mbështetja kryesore e organit të akuzës janë ndërkombëtarët.
Pas SHBA-së, dje reagoi edhe BE-ja, duke mbështetur punën e organit që kryesohet nga Ina Rama.