Investimi
Kryeprokurorja, në 2009-n mori kredi prej 150 mijë eurosh për apartament

Kryeprokurorja Ina Rama ka thelluar përgjatë vitit 2009 borxhin e saj ose thënë ndryshe kreditë e marra në banka të ndryshme për të investuar në banesa. Kështu, në deklaratën e pasurisë së saj të dorëzuar në ILDKP, më 29 mars të këtij viti, Kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama, raporton se ajo ka marrë një kredi prej 150.000 eurosh me qëllim shlyerjen e detyrimeve për blerjen po këtë vit të një apartamenti me vlerë 148.000 euro. Nga ana tjetër, Prokurorja e Përgjithshme, Rama raporton se ende nuk ka shlyer një kredi prej 17.082.56 USD të marrë për blerjen e një apartamenti banimi, pranë bankës NBG. Por përveç marrjes së kredive, Kryeprokurorja thekson se ajo ka shtuar një shumë prej 1.700.000 lekësh nga kursimet e pagave të familjes. Nga ana tjetër, Ina Rama raporton se ajo ka arritur të përfitojë gjatë 2009-s, një vlerë prej 2.301.041 lekësh nga paga, dietat dhe shpërblimet që i ka bërë të mundur posti i saj si Prokurore e Përgjithshme e vendit. Po kështu, zonja Ina Rama thekson edhe të ardhurat e marra si pasojë e kontributit në Shkollën e Magjistraturës.








#