Të gjithë besimtarët ortodoks do të kenë një katedrale madhështore në qendër të Tiranës.  Katedralja e re inaugurohet sot në kuadër edhe të 20-vjetorit të zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.


Ceremonitë për inaugurimin e Katedrales së re Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” kanë nisur rreth orës 10:30, me Liturgjinë Hyjnore dhe më pas do të mbahen fjalimet e rastit, do këndohen himne kishtare etj.


Në ceremoninë e ingarumit përveç, trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve të tjera fetare kanë marrë pjesë edhe presidenti i vendit Bamir Topi, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i PS-së Edi Rama, ministri i Inovacionit Genc Pollo, ministri i Kulturës Aldo Bumçi si dhe shumë personalitete të tjera.


Katedralja e re "Ngjallja e Krishtit"


Kompleksi i Katedrales përbëhet nga këto korpuse: Kisha katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore.


Koncepti arkitekturor i Kishës katedrale mbështetet në ciklin, që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me Qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës.


Kisha mbulohet me kupolë, me dia-metër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysmë cilindrike.