Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili ndodhet në SHBA ku do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri, Donald Trump tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pjesëmarrja e tij në këtë moment të rëndësishëm bëhet me ftesë nga republikanët, duke hedhur kështu poshtë zërat se ai kishte blerë biletë për të qenë pjesë e ceremonisë.


Jam ftuar në ceremoninë e inaugurimit dhe në ceremonitë e tjera festive me këtë rast nga anëtarë të mazhorancës të Partisë Republikane në Kongresin amerikan. Dje kam qenë i ftuar senatorit Ted Cruz, për ceremoninë e inaugurimit, kam marrë një ftesë të përbashkët nga kryetari i Komisionit për Europën dhe bashkëkryetari i komisionit për OSBE dhe po kështu kam një numër ftesash nga kongresmenë dhe senatorë të Partisë Republikane për disa nga aktivitetet e tjera që organizohen gjatë procesit të inagurimit të presidentit Trump.


Ftesat janë ftesa, nuk janë bileta, janë të papaguara, janë të dërguara dhe jo të kërkuara. Unë jam i nderuar që i jam përgjigjur ftesave të përfaqësuesve të shumicës në Kongresin amerikan dhe të Partisë Republikane për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit Trump, tha Basha.


19 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)