Sherret dhe incidentet e politikës shqiptare, janë transferuar këtë herë në zemër të Europës, në Bruksel.


Pas akuzave për lidhje me krimin dhe trafikantë të drogës, opozita e ka çuar deri në kryeqytetin belg denoncimin ndaj kreut të grupit parlamentar socialist.


Teksa ditën e sotme ka nisur mbledhje e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-Bashkimi Europian, në Bruksel nënkryetari i delegacionit nga opozita Genc Pollo kërkoi në emër të opozitës që komisioni i përbashkët të mos drejtohet nga Taulant Balla, i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar.


Sipas tij, është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Është e padenjë të kemi një padrino të baronit të drogës në presidium. Turp për maxhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Me Ballën në majë të pirgut ska kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave. Eurodeputetët janë të sikletosur nga Balla. Çtë bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën, u shpreh Pollo.


Në vijim të qëndrimit të tij, ai tha se eurodeputetët kërkojnë zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës.


Po ashtu tha se Taulant Balla është pasardhës i denjë i Saimir Tahirit në këtë Komision, duke kërkuar që njëlloj si ai të largohet.


Pollo deklaoi se kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues.


Fjala e Pollos u ndërpre nga ndërhyrja e Monika Macovei, nënkryetarja komisionit të Stabilizim Asociimit.


Ajo deklaroi se akuzat e hedhura ndaj Ballës, janë kontrolluar dhe nuk rezultojnë të vërteta. Pas denoncimit të Ballës, perfaqësuesit e opozitës u larguan nga mbledhja.


Pak ditë më parë opozita kërkoi largimin e Ballës nga delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit.


Gjithçka duke e akuzuar se shoqërohet me trafikantë droge dhe si i tillë nuk është i denjë për të përfaqësuar në Parlamentin Europian.


Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi kërkuan zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist.


15 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)