Atentatori i Ambasadës Amerikane në Sarajevë ka vepruar i vetëm. Të paktën kështu ka deklaruar avokati mbrojtës i 23-vjeçarit Mevlid Jashareviç, i arrestuar për sulmin e së premtes së kaluar, gjatë të cilit mbeti i plagosur rëndë një polic. Avokati Senad Dupovaç shprehu shqetësimin për gjendjen psikike të të pandehurit.





“Ai është konfuz dhe nuk mendoj se është i vetëdijshëm për veprimet e
veta. Besoj se ai ka nevojë për një ekspertizë të specializuar”, tha
avokati. Ndërkaq, Prokurori i Shtetit të Bosnjës, Dubravko Kampara i ka
kërkuar  gjykatës shtetërore të urdhërojë masën e burgimit për
Jashareviçin lidhur me dyshimet për terrorizëm.



Prokuroria tha se janë arrestuar dy persona  në Bosnjë për lidhje të
dyshuara me Jashareviçin. Ndërsa 17 personat e arrestuar në tre qytete
të ndryshme nga policia e Serbisë janë lënë të lirë tashmë.



Delina Bitraku