Autori i Lajmit: Redaksia










Indrit Dokle, anëtari i bandës famëkeqe të Durrësit drejtonte nga burgu një supertrafik droge. Këtë fakt e kanë zbuluar prokurorët e qytetit italian të Leçes, të cilët kanë hetuar në bashkëpunim me prokurorinë shqiptare prej tre vitesh.

Nga përgjimet ata kanë arritur të zbulojnë edhe gjashtë anëtarë të tjerë, të cilët merrnin urdhra nga Dokle, i akuzuar dhe si pjesëtar i “Bandës së Durrësit”, i cili ndodhet në qeli, duke u gjykuar.

Operacioni është zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me prokurorinë e Leçes, Itali. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë të ditur se, operacioni është koduar "Ura".

Të arrestuarit

Të arrestuarit mësohet se janë pjesë e grupit të madh të arrestuar pak më shumë se një muaj më parë gjatë operacionit tjetër të koduar “Lindja e Diellit”. Krerë të institucionit të akuzës kanë bërë të ditur se, pas hetimeve disa mujore u arrit të goditej një grup i dyshuar kriminal, i përberë nga shtatë persona: Shefqet Vata, Isuf Bunaj, Endrit Dokle, Jorid Xhunga, Edmond Taullai, Vito Biba dhe Eglantina Lulo. Sipas drejtuesve të operacionit, dosja është e plotësuar tashmë me prova, por hetimet po vazhdojnë për të faktuar implikimin e personave të tjerë në këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Arrestimet erdhën pak ditë pas vizitës që Prokurori i Antimafias italiane në provincën e Leces Cataldo Motta zhvilloi në Tiranë më 22 prill 2010.

Hetimet

Prej muajsh kishin nisur hetimet në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike në drejtim të Italisë. Ka qenë policia e shtetit fqinj që ka sinjalizuar uniformat blu shqiptare për trafikun që po zhvillohej dhe për personat që dyshoheshin të ishin pjesë e tij. Pas marrjes së informacioneve policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë një konference shtypi, Anton Martini, prokuror i Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se, “shtatë personat janë arrestuar nga policia shqiptare në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të drogës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, anëtari i tetë i bandës, shtetasi Indrit Taullai ndodhet në burg ndërkohë që është vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim me personat tjerë të arrestuar. Policia ka thënë se shtatë të arrestuarit kanë trafikuar rreth 40 kilogramë heroinë në drejtim të Italisë duke e nisur atë nga Shqipëria në periudhën 2008-2009”. Mësohet se, kishte disa rrugë për trafikimin e lëndëve narkotike, ajo Mal i Zi, Bosnjë, Kroci dhe Itali, Kosovë, Serbi, Kroaci, Itali, si dhe rruga tjetër e trafikut, ajo tradicionalja me anë të detit me gomone.





“Lindja e Diellit”



Në aksionin e prillit, u sekuestruan 1 ton drogë



Në fillim të prillit operacioni i përbashkët policor shqiptaro italian çoi në sekuestrimin e një sasie prej më shumë se 1 ton, saktësisht 1215 kg marihuanë në brigjet salentinase dhe arrestimin e 2 shqiptarëve, dhe një person tjetër në masën e sigurisë i ndaluar. Droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanalit të Otrantos. Të arrestuarit ishin Arbresh Hazizaj, 23 vjec, Almarind Brama, 26 vjec dhe Gezim Bircaj,46 vjec. Nëse droga do të shitej e tëra në treg, trafikantët do të arrinin të përfitonin 600 mijë euro. Nëse do të shitej pak nga pak fitimi do të kapte shifrat e 1 milionë eurove. Në kuadër të këtij operacioni në Shqipëri u arrestuan 4 persona si dhe u sekuestruan 215.5 kg lëndë narkotike. Lënda narkotike u kap në flagrancë rreth orës 23.00 të datës 1 prill 2010 në urën e Lumit Vjosë. Droga do dërgohej në Vlorë më pas drejt Italisë. Në pranga të policisë përfunduan Eduart Kujtim Lushkaj, 20 vjec, Eglivan Novruz Atija, 28 vjec, Selami Hamet Lushkaj, 37 vjec, të tre nga rrethi i Fierit, si dhe Andi Hysni Kurti, 41 vjec banues në Tiranë







Të arrestuarit



Isuf Buna, i njohur me pseudonimin Lalushi



Shefqet Vata i njohur me pseudonimin “Çeti”



Endrit Doklem ndodhet në burg për një tjetër akuzë



Jorid Zhungu, i njohur me pseudonimin “Ruçi” ose “Ridi”



Edmond Taullau, i njohur me pseudonimin “Moke”



Vito Biba, i njohur me pseudonimin “Vehap”



Eglantina Lulo, e njohur me pseudonimin “Tina”







Ky lajm është publikuar: 16/05/2010