shenasiNga Shenasi RamaLegjitimiteti i cdo sistemi politik qëndron para së gjithash në marrjen e mbështetjes popullore. Populli hedh votën dhe iu jep votëbesimin politikanëve që mandej qeverisin shtetin.  Nga ana e tyre, politikanët  bëjnë të pamundurën që të mbledhin sa më shumë vota dhe të tregojnë se sistemi politik dhe votuesit i mbështesin ata. Përpjekja e politikanëve kudo, edhe të atyre shqiptarë për të mbledhur votat është e jashtëzakonshme dhe në ditën e votave ata që fitojnë më shumë vota formojnë qeverinë.


Mirëpo pyetja që shtrohet tani nuk është se për kë duhet të votohet por a duhet të votohet në zgjedhjet kuvendore të vitit 2013? Përgjigja e shkurtër është që votuesit shqiptarë duhet të votojnë, por ata nuk duhet të votojnë për partitë në këto zgjedhje. Zgjedhjet duhen bojkotuar. Edhe sikur votat e bardha, vota en blanco, të përcaktojnë se cila palë  e parisë do të fitojë, prapë zgjedhjet duhet të bojkotohen sepse nuk ka dallim në mes të palëve këta janë tre koka të të njëjtit gjarpër. Vota e bardhë nuk është një votë në mbështetje të sistemit por kundër tij. Vota e bardhë nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme sepse zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte të votohej për dikë që zgjidh problemet e shumta dhe të pakapërcyeshme me të cilat përballemi.


Mirëpo, mosdhënia e legjitimitetit është një arritje e jashtëzakonshme në këtë gjendje kur kemi një diktaturë fashiste që maskohet si demokraci liberale. Paria e Tiranës ka një nevojë të jashtëzakonshme për legjitimitet. I druhet tërheqjes së mbështetjes popullore. Dhe e ka shumë frikë Votën e Bardhë. Aq shumë sa në shtetin shqiptar është rritur çmimi i votës, dhe paria është pa ndërprerje në fushatë. Mjete që janë hedhur, makina që është vënë në lëvizje, dhe përkushtimi i politikanëve është i jashtëzakonshëm. Vota e Bardhë i bën këto të pavlefshme dhe e bën Parinë të ndjehet krejt e pasigurt.


Por, në pamundësinë e ndërrimit të sistemit, të vendosjes së njerëzve të duhur, të vendosjes së rregullave të duhura e të drejta, të ligjit e të njerëzve që do të zgjidhen, të gjithë shqiptarët duhet ta bojkotojnë sistemin. Mirëpo, shtysa për këtë shkrim erdhi nga iniciativa e një grupi djemsh e vajzash të reja në Tiranë, si Alban Nelaj, Alida Karakushi, Gjergj Erebara, Adela Halo, Ervin Kaciu, e të tjerë. Këta janë të rinj me kurajë qytetare, dhe që e marrin seriozisht detyrën e qytetarit, si dhe të drejtat që kanë janë organizuar në një grup në Facebook: https://www.facebook.com/votobardhe. Këta të rinj, të cilët unë nuk i njoh fare, por që i mbështes me shumë entuziazëm në këtë iniciativë, po japin një shembull shumë frymëzues. Unë nuk i njoh të tjerët por iniciativa e tyre për të bojkotuar sistemin e zgjedhjet është ajo që duhet. Ja edhe disa nga arsyet pse unë mendoj se kjo iniciativë është shumë e dobishme dhe që vjen në kohën e duhur.


 


Pse duhet bojkotuar sistemi?


Së pari, sistemet politike, ekonomike, morale, shoqërore e kulturore janë të përçudnuara dhe nuk janë në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Këto sisteme iu kanë shërbyer vetëm palëve të parisë për pasurimin e tyre dhe për ndërtimin e një sistemi të pastër oligarkik, kriminal, kleptokratik, të zvetënuar, amoral, të sunduar, të kontrolluar, e në pronësi të një grushti klanesh. Nga ana e tyre, këto klane punojnë shumë ngushtë bashkë, si pjesë e parisë së Tiranës, për të mbajtur gjendjen e pandryshuar. Këta janë nisur të punojnë bashkë, do të vjedhin bashkë, do të mbajnë bashkë qeveritë, nuk do të ketë asnjëherë adresim si duhet të problemeve të qytetarëve dhe vjedhja do të vazhdojë pa ndërprerje.


Me një fjalë, si ilustrim, kjo punë është si e furgonit të prishur në rrugën Durrës-Tiranë. Shoferi dhe fatorinoja janë kunetër. Ata grinden se kush i mbledh paratë dhe kush i jep makinës. Tarifën e kanë caktuar që në fillim. Fitimet do ti ndajnë bashkë në darkë. Mirëpo në rrugë e sipër prishet makina, tek shtëpia e Rrahmonit, Tanit, Gimit e Gonit. Zgjedhjet janë sikur tu thuash udhëtarëve mbasi tua kesh marrë paratë në Vorë, dhe makina të jetë e prishur, e të mos dish ta rregullosh, Hë, vendosni ju kush do të jetë shoferi se kemi vetëm pesë minuta kohë dhe mandej vihuni në rresht të shtyni makinën tonë deri në Durrës se ndryshe vjen Rrahmoni e Tani, Xeni, Goni e Gimi e iu marrin paratë.


Çfarë rëndësie ka se cili shofer i jep makinës që nuk punon, që për më tepër nuk është as mekanik, e nuk din tjetër veç me e luejtë timonin majtas-djathtas si karrocën e Dylit? Makina është e tyre, makina është e prishur, ajo nuk po i çon udhëtarët në destinacionin e duhur dhe udhëtarët duhet ta mbajnë gjallë sistemin e parisë. Edhe Rrahmani e Tani, Goni e Gimi janë të tyret. Prandaj një votë e bardhë, që nuk është në mbështetje të parisë, që nuk numërohet për parinë, është sikur të bësh sikur shtyn makinën, por të mos mundohesh fare.


Zgjedhësit, pra, janë si pasagjerët në këtë situatë. Ata duhet të përdorin çdo mundësi për të dalë nga situata ku i mban me qëllim paria. Dhe nga situata i nxjerr ose riparimi i këtij furgoni nga një pasagjer që është mekanik, mekanik, një furgon i ri, që punon, që i çon në destinacion, edhe pse ato paratë e biletës së furgonit të parë nuk do ti marrin më ndonjëherë. Ose kështu, ose në fund, le ta shtyjnë sa të duan furgonin, prapë do të vijë Rrahmoni, Tani, Zeni e Gimi dhe do iu mbledhin paratë e jetën. Kush e jep votën është si ai udhëtari që e shtyn furgonin në këtë gjendje deri në Durrës sepse këta janë bashkë, duan të vjedhin paratë, të kryejnë punët e tyre, dhe të përdorin shqiptarët e votuesit.


Së dyti, vota në sistemin shqiptar nuk ka vlerë. Këta e kanë ndërtuar një sistem që garanton që partitë e tyre fitojnë votat sido që të shkojnë punët. Këta i kontrollojnë të gjithë komisionet si duan vetë. Këta e kanë bërë ligjin zgjedhor si kanë dashur vetë e bashkë e në mbrojtje të interesave të tyre.  Këta të bëjnë të hedhësh votën për njërin ose tjetrin, sepse forcat politike që nuk janë të mëdha ose në koalicion me ta, janë të humbura. Këta i kanë fshirë emigrantët nga listat. Po votove për ta, të hipin në aeroplan dhe të sjellin në Tiranë të Votosh, të shohësh mamin e babin dhe të kthehesh prapë në Greqi e Itali e Holandë.  Por po votove e dole kundër tyre, je i humbur. Këta kontrollojnë edhe bandat që rrinë tek qendrat e votimit dhe që vendosin se kush voton për kë. Këta i kanë listat gati dhe preson që për 50 mijë lekëshin tua nisësh foton e votës me iPhone. Këta të japin iPhone të fotografosh vjedhjen e deformimin e votës tënde. Këta e bëjnë si ai shoferi i furgonit që e thërret Rrahmonin, Gimin e Tanin dhe iu thotë, shihe pak a e sh