Nga Dr. Isidor Koti


Prej më shumë se dy dekada, që kur bota virtuale nisi të përhapej ngadalë e më tej me vrull edhe në vendin tonë, nuk kanë munguar përpjekjet për ta përdorur këtë mjet, (internetin dhe faqe të ndryshme forumesh e rrjete sociale) për tu marrë dendur me çështjet e brendëshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndjeshmëria ndaj së kaluarës dhe zhvillimi i vrullshëm pas viteve 90-të i këtij institucioni ka qenë e lartë, sepse lulëzimi i Kishës është prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi pothuajse nga të gjithë, duke krijuar jo pak xhelozi në rrethe të gjera dhe urrejtje në qarqe të ngushta antiorthodhokse. Kur themi antiorthodhokse nënkuptojmë ato qarqe (grupime të sponsorizuara dhe të mbështetura nga fuqi politike ose fetare) që nuk dëshirojnë rilindjen e krishtërimit në trevat tona shqiptare, aq më tepër rigjallërimin e besimit orthodhoks, të cilin këto qarqe e shfrytëzojnë me tendencë negative, duke përdorur një aspekt sensibël, atë atdhetar. (A thua se orthodoksia nënkupton thjesht dhe vetëm greqizim, e orthodoksët shqiptarë janë grek!!!).


Megjithë zhvillimin e brendshëm, së jashtmi jeta dinamike kishtare dhe investimet e Kishës Orthodhokse në jetën sociale, arsimore, shëndetësore, etj. në të mirë të vendit tonë janë trajtuar përtej dyerve të Kishës, në aspekt dyshimi dhe mungese pozitiviteti. Kjo gjendje ka krijuar një frymë konfuze jo vetëm te qytetarët e thjesht që ndoshta e njohin pak orthodoksinë, por edhe te ata që janë ndjekës ose dashamirës të besimit të krishterë orthodoks, të cilët deri diku janë të frikësuar ndaj sulmeve konstante që i janë bërë dhe i bëhen Kishës dhe sidomos kryebariut të saj, Kryepeshkopit Anastas, për shkak të origjinës dhe aktivitetit të tij, (interpretuar si kundra interesave kombëtare shqiptare!!!).


Në këtë shkrim nuk do rrekem të merrem me shpjegime dhe kundërpërgjigje ndaj zërave të korridoreve që dalin shpesh në dritaret virtuale e bërtasin pa etikë për patriotizëm, siç është rasti i fundit i gjoja influencës greke ndaj arbëreshëve, apo edhe i implikimeve në negociatat për marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi. Këta zëra hipotezojnë nëpër komente jo vetëm të pabesueshme, por edhe qesharake e vetëdiskretituese, opinione e jo fakte, qëndrime personale e jo qëllime publike, të cilat me bindje të plotë e them që burojnë nga injoranca e emocioni patetik-patriotik. Por kjo nuk do të thotë që injoranca është gjithmonë fajtore, thjesht duhet të trajtohet në këndvështrimin e duhur. Prandaj qëllimi i këtyre radhëve, sikurse edhe i atyre paraardhëse në tema të ngjashme që kam trajtuar, (duke u përpjekur me konsekuencë profesionale e dashamirëse për të mbrojtur Kishën dhe komunitetin e krishterë orthodhoks shqiptar) është ofrimi i realitetit bardh e zi dhe orientimi i drejtë dhe i saktë i lexuesit konfuz që është edukuar për një kohë të gjatë padrejtësisht dhe keq nga bota virtuale që ka masakruar të vërtetën, e cila ende është gjallë, falë Zotit!


Është për të ardhur keq për ata persona që merren me Kishën vetëm në sensin politik, duke çorientuar së pari brezin e ri, i cili duhet të afrohet me Kishën dhe jetën e saj për tu edukuar me virtyre, me vlera, me frymën e dashurisë, me kulturë e dije.  Sigurisht edhe me historinë e Kishës sonë, me atdhetarët e shumtë orthodoksë që e kanë themeluar Kishën dhe kanë dhënë kontributin e tyre në formimin e shtetit tonë dhe zhvillimin e tij. E ku më mirë se Kisha mund të formohet personaliteti, sepse brenda në Kishë mund të rritet një fëmijë si njeri i denjë për veten e tij, për familjen e në të ardhmen për shoqërinë. Këtë e ka treguar historia dhe tradita, çdo kulturë e qytetërim. Është nder e vlerësim të rritesh e edukohesh, të shkollohesh e maturohesh në kolegjet kishtare, në bibliotekat e peshkopatave e manastireve, mes klerikëve e laikëve të lidhur me Kishën dhe mësimet e saj. Sepse veç jetës shpirtërore, brezi i ri siguron edhe dijet shkencore e kulturën e vërtetë të të jetuarit me ndershmëri dhe integritet në shoqëri. Të gjitha këto aspekte pozitive në jetën e njeriut, e për shumë të tjera që ofron Kisha dhe komuniteti i saj në jetën reale, lihen në hije nga opinionbërësit e botës virtuale e reale, që e lidhin Kishën tonë Orthodhokse në çdo gjë me politikën dhe me Greqinë.


Shqiptarët janë ushqyer keq, me menynë e gabuar. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka shpresë për të pasur ndryshim, përderisa asortimentet kishtare janë të pasura dhe të mbështetura në themele të patundura. Mësimet e Kishës Orthodokse dhe historia e saj kanë dëshmuar se në dymijë vjet krishtërim, shoqëria njerëzore është bekuar me shembullin e mirë, të dashurisë dhe të shpresës në Zotin Krisht. Nuk ka si të ndodhë ndryshe edhe me shoqërinë shqiptare, e cila erdhi nga vitet e gjata të persekutimit ateist, në një rilindje historike të besimit.  Pavarësisht se sot bota virtuale është duke fituar popullaritet për shkak të teknologjisë, duhet shfrytëzuar terreni për të treguar të vërtetën që të mos humbasin mendjet e lëkundura dhe shpirtrat e mbyllur, të cilëve iu është vjedhur koha dhe kuptimi i të jetuarit nga ata që do mbajnë përgjegjësi një ditë, përpara Zotit. Duhet sqaruar njëherë e mirë që të krishterët orthodhoksë dhe Kisha jonë nuk kemi mision të merremi me politikë, por duam të ndihmojmë në shpëtimin e shpirtrave të njerëzve. Pavarësisht se dikur Mark Tëain pohonte se: Kurrë mos ua thuaj të vërtetën njerëzve që nuk e meritojnë atë,  ne kemi një thirrje tjetër nga Krishti: Shkoni në gjithë botën dhe i përhapni Ungjillin (lajmin e mirë) gjithë krijesës. Ne duam të përhapim këtë lajm. Asgjë më shumë, asgjë më pak.