Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) ka propozuar një rrugëzgjidhje për përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve për marrjen e statusit për në BE. Në një dalje publike për mediat, Dule ka theksuar se nuk ka vend për akuza të ndërsjella midis krahëve të spektrit politik të vendit. Jemi të gjithë nën vëzhgimin dhe vlerësimin e qytetarëve dhe të shoqërisë të cilët gëzojnë edhe atributin ekskluziv të ndarjes së përgjegjësive për nismat e ndërmarra dhe ato të munguara.
Vlerësojmë së ajo që kërkohet në realitetin e krijuar është reflektimi. Reflektim me kah nga vetja. Me objektiv rikonceptimin e rrugës sonë europiane, e cila nuk do të mbështetet si edhe deri me sot vetëm në rekomandimet e strukturave europiane për detyra shtëpie të pakryera ose të kryera përgjysmë, por në prioritete që burojnë nga nevojat jetike, imediate dhe afatmesme te qytetareve, shoqërisë edhe vendit për europianizim të mirëfilltë të çdo qelize të jetës së vendit: shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale, respektimit real të të drejtave te njeriut dhe minoriteteve, ekonomisë zhvilluese dhe konkurruese, garantuese të mirëqenies dhe kohezionit social, u shpreh ai. Dule ka propozuar më tej strukturimin e një task-force të nivelit më të larte politik, gjithëpërfshirëse e cila do të garantonte konsensusin më të gjerë të mundshëm si edhe monitorimin dhe koordinimin efektiv të të gjitha strukturave legjislative dhe ekzekutive që kanë për objekt integrimin europian të vendit.
18 dhjetor 2013 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Integrimi, Dule: Nuk ka vend për akuza të ndërsjella. Propozoj ngritjen e një Task Force u publikua me pare te Gazeta SHQIP.