gjosha3-610x343Ministrja e Integrimit  Evropian Klajda Gjosha nisi sot një vizitë zyrtare pune në Gjermani. Përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vullneti dhe angazhimi i Qeverisë në përmbushjen e reformave të nisura dhe  masat konkrete që po ndërmerren, do të jenë në fokus të takimeve të planifikuara në axhendën e ministres Gjosha. Me këtë vizitë,  ministrja e Integrimit çel turin e takimeve që do të zhvillojë në javët në vijim  në disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të rajonit.


Gjatë qëndrimit në Gjermani, ministrja e Integrimit Evropian do të zhvillojë një takim pune me  ministrin e Shtetit Michael Roth. Më tej,  është planifikuar një takim me z. Dr. Freiherr Freytag von Loringhoven, zv. Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Evropiane.  Një tjetër takim do të jetë ai me Dr.Franz Neueder, zëvendës i  Meyer-Landrut, kryekëshilltar për Çështjet Evropiane në kabinetin e Kancelares gjermane znj. Anxhela Merkel.


Në vijim të vizitës,  ministrja Gjosha do të zhvillojë një takim me zyrtarë dhe parlamentarët gjermanë.