Çështja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE vijon të mbetet temë e nxehtë në Bruksel, aty ku të gjithë ndjekin me rigorozitet hapat e hedhur nga vendet aspirante në procesin e anëtarësimit. Për këtë çështje ka folur edhe komisioneri për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane Die Welt.


Duke u ndalur te progresi i bërë nga Shqipëria, Hahn ka deklaruar se vendi ynë është duke vrapuar drejt Bashkimit Europian. Sipas eurokomisionerit, dikur Serbia dhe Mali i Zi kishin qenë vendet që kishin bërë përparimin më të shpejtë drejt BE-së, por ka pasur një turn-over dhe tani Shqipëria e Maqedonia po avancojnë me ritme më të shpejta.


Vendet anëtare theksojnë se pranimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka kuptim vetëm nëse të 6 vendet mund të përfshihen. Ekziston një lloj konkurrence pozitive në Ballkan për atë se kush bën përparimin më të shpejtë. Për një kohë të gjatë, ishin Serbia dhe Mali i Zi vrapues në procesin e pranimit në BE, por tani mund të jetë Shqipëria dhe Maqedonia, thotë Hahn.


Ai gjithashtu ka theksuar se përpara se vendet e Ballkanit ti bashkohen BE, në rajon duhet të zgjidhen disa çështje, ku më kryesorja është kriza Kosovë-Serbi.


6 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)