Është më se e vërtetë që Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Dhe ky fakt mjaft domethënës është theksuar shumë herë nga faktori politik brenda vendit dhe kryesisht nga Brukseli zyrtar. Konkretisht, Komisioni i Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës kanë krijuar "Mekanizmin Përcjellës të Stabilizim-Asocimit" ndryshe MPSA, ky mekanizëm i ngjason një HLSC (High Level Steering Comitee), i cili sugjeron dhe jep rekomandime me qëllim të vetëm përafrimin me standardet evropiane, kriteret politike dhe ekonomike. Theksohet fjala "ngjason", pasi gjithçka bazohet në dëshirën e mirë të palëve për bashkëpunim, pra të Kosovës nga njëra anë dhe të Komisionit Evropian nga ana tjetër, pasi MPSA është një obligim vullnetar i Qeverisë së Kosovës dhe asgjë më shumë. Për arsye të ndryshme, shteti i Kosovës nuk ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe për rrjedhojë zyrtarisht nuk mund të flasim për marrëdhënie tipike, por me një situatë sui generis. Kësaj situate të ndërlikuar i shtohet edhe fakti që studimi i fizibiletit për Kosovën që pritet të publikohet në fund të këtij viti i është hequr fjala "fizibilitet" (arritshmërisë), pra do të quhet thjesht studim. Dhe kjo për arsye se disa shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetin e Kosovës. Në këtë pikë theksohet se qëllimi i ndërmarrjes së një studimi fizibiliteti nga ana e Komisionit Evropian është që t‘i rekomandoj Këshillit të Bashkimit Evropian nivelin e marrëdhënieve kontraktuale që BE duhet të ketë me vendin në fjalë, pra në rastin e Kosovës Komisioni duhet t‘i rekomandojë/propozojë Këshillit fillimin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA). Me të drejtë ngrihet pyetja çfarë do t‘i rekomandoj Këshillit te Bashkimit Evropian ky studim në mungese të aspektit të fizibilitetit? Dhe për çfarë qëllimi ndërmerret një studim i tillë? Në këtë pikë lindin dy çështje që mendoj se duhen trajtuar: e para kredibiliteti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian; e dyta, a është i justifikuar euro-entuziazmi i palës kosovare? Për sa i përket kredibilitetit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian duhet të theksojmë se në shumë raste Bashkimi Evropian ka treguar se është thjesht një organizatë tjetër ndërkombëtare natyrisht me shumë resurse, por gjithsesi një organizatë ndërkombëtare e paralizuar nga votimi me unanimitet të anëtarëve të saj. Ky parim i vendosur me Traktatin Themelues (Romë 1952), i nënshkruar prej 6 shtetesh, tashmë është jashtë çdo realiteti dhe një gjë e tillë vërtetohet çdo herë. Çështja e dytë në këtë kuadër është edhe pragmatizmi politik apo standardet e dyfishta që zbatohen nga ana e BE. Fjala është për tolerimin e tepruar të deficiteve të theksuara politike apo ligjore në disa shtete evropiane dhe për kundër kësaj Bashkimi Evropian u bën oferta apo u qartëson perspektivën evropiane. Nëse kjo është e vërtetë atëherë Bashkimi Evropian nuk po justifikon besimin apo euro - entuziazmin e shqiptarëve. Ndërkohë, euro-entuziazmi i palës kosovare mbështetur në studimet statistikore të fundit, është më i lartë se në vendet bërthamë të Bashkimit Evropian si p.sh: Franca, Gjermania. Kjo tendencë ndihet kudo në qarqet akademike, administratë publike etj., kjo pritshmëri e lartë mund të ketë aspekte shumë negative. Pasi krijon iluzione deficitare dhe largon vëmendjen nga problematika ditore. Mbështetur në sa thamë më lart kjo tendencë nuk justifikohet nga politikat që ndjek Bashkimi Evropian për Kosovën. E para, një anëtarësim i shpejtë kur potenciali ekonomik i vendit apo konceptualiteti shoqëror nuk është në nivelin e duhur me anëtaret e tjerë të Bashkimit Evropian potencialisht mund të sjellë më shumë dëme sesa dobi dhe shembujt për këtë fakt ekzistojnë në vendet e anëtarësuara rishtas në BE. Nuk është ende e qartë për popullin e Kosovës se integrimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë qëllim në vetvete (goal per se) i elitës politike në vend, porse prosperiteti ekonomik, begatia shoqërore duhet të jetë busulla orientuese e elitës politike te vendi. Nga ana tjetër çmohet se duhet të dërgohet një mesazh i qartë nga BE drejt popullit të Kosovës dhe ky mesazh nuk duhet të jetë thjesht retorik burokratik, por një hap i qenësishëm sikurse hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.