Vaçe Zela, ikona e këngës dhe muzikës mbarëkombëtare shqiptare, nderohet me mirënjohje nga intelektualët shqiptarë në Zvicër. Ajo që nxit interesin tonë intelektual, është një histori, me fjalë të tjera beteja e ndërmarrë pak a shumë në mënyrë të ndërgjegjshme, nga një qenie njerëzore, si e urta, modestja, fisnikja, Vaçe Zela. Vështirësitë, sëmundja, nuk e kanë thyer vrullin e saj jetësor, nuk e kanë penguar apo vonuar në ecurinë e integritetit të saj si artiste e madhe e Kombit shqiptar. Bashkë me bashkëshortin, Pjetër Rodiqin dhe ekonomisten e talentuar Irmën, të bijën, të tre nuk rreshtin të presin miq të shumtë në Bazel, apo të marrin pjesë në veprimtari të bukura ku shprehet atdhedashuria dhe mirësia, solidariteti dhe ngushtimi i radhëve për çështjen kombëtare. “Rastësia, është shprehur shkrimtari i madh francez, Zhan Kokto, është forma që merr Zoti për të kaluar pranë nesh incognito” (i panjohur). Edhe unë dhe ata bashkatdhetarë që jetojmë në Zvicër, kemi pasur fatin që ajo edhe pse shpesh herë është „incognito” për fqinjët e saj zviceranë, të vërejmë respektin e atyre njerëzve të thjeshtë që nuk e dinë se ajo është një artiste e madhe, por habiten me vizitat që i bëjnë bashkatdhetarët asaj. Ata nuk mund ta dinë se ajo është një këngëtare e madhe mbarëkombëtare shqiptare, pasi sëmundja nuk e la që ajo të vazhdojë karrierën e saj. Por e kuptojnë se Vaçja është një grua tepër e respektuar. Prandaj, në festa dhe gëzime kur mblidhemi me të dhe bëjmë pak zhurmë atje në tarracën e bukur të apartamentit në Bazel, na qëllon që të zbresë me një çengel një shishe shampanjë, apo e bija Irma duhet të shkojë tek dera ku troket dikush që sjell një pako të madhe me çokollata. Shpesh ata bashkohen me ne, por Vaçja jonë e madhe do të mbetet “incognito”.  Gjatë ceremonisë së dorëzimit të mirënjohjes ishin të pranishëm shumë personalitete dhe intelektualë shqiptarë me banim në Zvicër. Në motivacionin e Mirënjohjes, të dorëzuar nga kryetari i shoqatës, Abas Fejzullahi, shkruhej se: “Bashkimi i intelektualëve shqiptarë të Zvicrës nderon me Mirënjohje Artisten e Popullit, zonjën Vaçe Zela, ikonën e këngës dhe muzikës së lehtë shqiptare, që me zërin e saj frymëzoi e bashkoi shpirtërisht shqiptarët në mbarë hapësirën kombëtare e kudo në botë”. Artistja e Popullit, Vaçe Zela, vlerësoi këtë mirënjohje, madje së bashku me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqi, shprehën interesimin për të dhënë kontributin e tyre në këtë shoqatë. Shoqata Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës (BISHZ) është themeluar më 29 nëntor 1997 në Bernë prej 130 intelektualëve shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë në Zvicër.             Alfred Papuçiu