Ministri i Diasporës në vendin tonë, Pandeli Majko, është kërcënuar me jetë dhe i është kërkuar të shtojë sigurinë personale.


Lajmi bëhet i ditur nga media amerikane Fox Neës, ku në një artikull të kësaj të fundit, thuhet se ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko i tha Fox News se zyrtarë amerikanë i kanë sugjeruar të rrisë sigurinë personale, pas informacioneve për një kërcënim kundër tij. Ndërsa ai (Majko) tha se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt dhe shtoi se nuk ka frikë.


Majko njihet si mbështetës i kauzës së muxhahedinëve (opozitës) së regjimit të Iranit që ndodhen me strehim në Shqipëri. Në një bisedë me gazetarin e Fox News Majko thotë se shërbimet amerikane i kanë thënë të ketë kujdes.


Një muaj më parë, autoritetet e BE deklaruan se ndaluan një sulm terrorist të organizuar nga shërbimi sekret iranian. Arrestimet e atentatorëve të dyshuar u bënë në Vjenë dhe Holandë. Mes të ndaluarve ishte dhe një diplomat i ambasadës së Iranit.


Sulmi ishte planifikuar të kryhej në takimin e opozitës iraniane në Paris. Pjesë e këtij takimi ishte dhe Pandeli Majko si dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, por edhe politikanë të tjerë të SHBA-së dhe BE-së që mbështesin ndryshimin e regjimit politik aktual në Iran.


Për regjimin e Iranit, muxhahedinët janë kërcënim i sigurisë së brendshme pasi kërkojnë rrëzimin e sistemit dhe zëvendësimin e tij me një model demokratik.


Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit ka thënë për Fox News se komplotet e regjimit iranian në Shqipëri dhe në Paris ishin të ngjashme me operacionet që ISIS kreu për të targetuar turmat e mëdha dhe për të shkaktuar dëme në një numër të madh njerëzish në të njëjtën kohë.


10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)