Edhe pas fjalëve të Skolarit: "Çelsi është një nga skuadrat më të mira në botë dhe mendoj se ai është i lumtur këtu", kalimi i Didier Drogba tek Interi është vetëm çështje javësh. Trajneri i klubit londinez bëri të ditur se sulmuesi nuk do të luante në ndeshjen e djeshme ndaj Arsenalit. Duket pak e çuditshme, pasi afrikani nuk po luan në dy ndeshje pas afatit të skadimit të skualifikimit. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë tashmë i ka prishur marrëdhëniet me drejtuesit e bluve dhe mund të kërkojë të largohet drejt skuadrës italiane. Tratativat mes dy palëve ka pasur edhe në qershorin e vitit të kaluar, por që përfundoi pa shumë sukses. Bomberi, i lodhur nga Champions League, u ka kërkuar menaxherëve të tij të shitet diku tjetër. Drogba zgjedh Milanon, por nuk e përjashton mundësinë për të veshur bluzën e Real Madridit, i cili, pas largimit të Robinjos, është i gatshëm të marrë afrikanin. Por, tashmë, divorci mes tij dhe londinezëve është shumë pranë. Edhe pse nuk mungojnë përgënjeshtrimet e vazhdueshme të Masimo Moratit, duket se gjërat po zhvillohen në heshtje: "Nuk di çfarë t‘ju them. Ndoshta është më shumë dëshirë e lojtarit, sepse ne nuk kemi nevojë për sulmues".